Koha për barazi reale mes shqiptarëve dhe maqedonasve, respekt të ndërsjellë dhe partneritet strategjik.
Prioritetet tona:
Zhvillim vendor i balancuar;
Decentralizim real;
Mbështetje për rininë dhe bizneset dhe
Mbrojtje e gjuhës, traditës dhe identitetit shqiptar.
Rruga jonë është drejt një shteti modern, funksional dhe europian!
Aleanca për Shqiptarët riafirmon bindjen se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar dhe shtetformues, prandaj ky rol duhet të garantohet dhe të respektohet në çdo institucion dhe nivel vendimmarrjeje.
Platforma jonë politike udhehiqet nga tre parime thelbësore: Traditë, Përgjegjësi dhe Zhvillim. Këto parime janë shtyllat mbi të cilat ndërtojmë vizionin tonë për një shtet funksional, efikas dhe të drejtë, ku shqiptarët dhe maqedonasit ndërtojnë së bashku një të ardhme më të mirë.
Jemi të bindur se ka ardhur koha për një marrëveshje të re politike ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, e cila do të bazohet mbi barazi reale, respekt të ndërsjellë dhe partneritet strategjik. Vetëm kështu mund të ndërtohet një shoqëri e qëndrueshme dhe një shtet modern, europian dhe i barabartë për të gjithë.
Aleanca për Shqiptarët është një forcë politike e qendrës së djathtë, e cila mbron identitetin shqiptar, gjuhën dhe traditat tona kombëtare, duke promovuar në të njëjtën kohë lirinë individuale, pronësinë private, ekonominë e tregut dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Prioriteti ynë është zhvillimi ekonomik vendor dhe fuqizimi i komunave përmes decentralizimit real. Mbështetja për rininë, familjet dhe bizneset vendore është në qendër të angazhimit tonë politik, sepse vetëm kështu garantohet zhvillimi i barabartë dhe stabiliteti afatgjatë.
Ne do të angazhohemi për përfshirjen aktive të qytetarëve në vendimmarrje dhe për bashkëpunim të ngushtë me diasporën shqiptare, e cila mbetet një pasuri e çmuar kombëtare dhe ekonomike.
Aleanca për Shqiptarët është e vendosur të jetë zëri i barazisë së vërtetë dhe garant i interesit kombëtar shqiptar.
Me platformën tonë dhe me një marrëveshje të re mes maqedonasve dhe shqiptarëve, ne hapim rrugën drejt një shteti të barabartë, funksional dhe europian.
Njomza Shaqiri, zëdhënëse – Aleanca për Shqiptarët