Izet Mexhiti: Çairi, kryeqendër e inovacionit rinor! Me rininë dhe për rininë, themelojmë klubin e parë të sporteve elektronike

Në zemër të Çairit, aty ku historia takohet me të ardhmen, u zhvillua
turneu i madh i Counter Strike 2, një aktivitet që mblodhi të rinj të
pasionuar pas sporteve elektronike. Ngjarja u organizua pranë shtatores
së Skënderbeut, duke dëshmuar se Çairi nuk është vetëm vend i traditës,
por edhe i zhvillimeve moderne dhe teknologjike.
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh kandidati i VLEN-it për
Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, theksoi se ky turne nuk është vetëm
argëtim, por edhe hap drejt krijimit të klubit të parë të sporteve
elektronike në Çair.
“Rinia e Çairit është pasuri dhe frymëzim. Çairi është diamant. Kjo
iniciativë do t’i japë mundësi të rinjve tonë që të shfaqen fuqishëm
edhe në arenën botërore”, tha Mexhiti.
Sportet elektronike sot janë më shumë se një hobi, ato janë profesion,
garë dhe pasion global. Të rinjtë e Çairit po tregojnë se janë gati të
konkurrojnë me më të mirët në botë, dhe për këtë, Mexhiti premton
mbështetje të plotë nga Komuna.
“Ne jemi afër rinisë, sepse jemi me rininë”, shtoi Mexhiti, duke
premtuar se Çairi do të bëhet pikë referimi për të gjithë adhuruesit e
këtij sporti.
Ky turne është vetëm fillimi i një rruge të re për rininë e Çairit, e
cila me energji dhe kreativitet po ndërton një komunë moderne, më të
fuqishme dhe më inovative.