Shkruan:Analisti :Qani Shabani. Kosova është në një moment kritik ku mungesa e dialogut mes vetes po kthehet në një rrezik strategjik për të gjithë shtetin. Përplasjet e vazhdueshme politike, mungesa e koordinimit dhe refuzimi i kompromisit nuk janë thjesht çështje brenda-partiake – ato po minojnë themelet e një shteti të konsoliduar dhe po e çojnë vendin drejt izolimit.
Ky mosdialog nuk është thjesht një sfidë e brendshme; ai po shkatërron besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe po minon aleancat strategjike më të rëndësishme që Kosova i ka ndërtuar me shumë vështirësi – mbi të gjitha, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendimet dhe veprimet e fundit të elitave politike kanë krijuar një klimë pasigurie që po shkakton humbje të mëdha në fushën ekonomike. Ndërmarrjet vendore po përballen me vështirësi të paprecedenta dhe besimi në stabilitetin politik është në rënie të vazhdueshme. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane kanë shprehur shqetësim të thellë lidhur me këtë situatë, duke paralajmëruar se mungesa e koordinimit dhe tensionet politike po e dëmtojnë seriozisht perspektivën ekonomike dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit.
Këto institucione janë zëri i biznesit dhe ekonomisë, që duhet të promovojnë Kosovën si vend të sigurt për investime dhe zhvillim ekonomik. Kosova duhet të jetë një destinacion i sigurt dhe i favorshëm. Por ky qëllim po dëmtohet nga mosveprimi i elitave politike, të cilat duket se preferojnë përçarjen dhe konfliktin mbi bashkëpunimin dhe dialogun. Klima e paqëndrueshmërisë politike po e bën të pamundur një planifikim afatgjatë të zhvillimit ekonomik dhe po rrit pasigurinë në treg.
Përtej pasojave të brendshme, tashmë ka nisur edhe një pasojë me peshë simbolike dhe praktike ndërkombëtare: pezullimi nga SHBA i dialogut strategjik me Kosovën. Ky nuk është një gjest diplomatik i zakonshëm – është një mesazh i qartë politik. Pezullimi i këtij mekanizmi, i cili duhej të kanalizonte bashkëpunimin në fusha jetike si mbrojtja, siguria, zhvillimi ekonomik dhe politika e jashtme, është një sinjal alarmi se partneriteti me SHBA-në po kriset seriozisht. Dhe këtë krizë nuk e ka prodhuar Uashingtoni – e ka prodhuar Prishtina, me sjellje të pamatura politike, me retorikë antagoniste dhe me mungesë totale të reflektimit institucional.
Ky zhvillim përbën një kthesë të rrezikshme. Kosova nuk është në pozitë të përballojë pezullimin e bashkëpunimit me aleatin e saj kryesor. Dhe çdo ditë që kjo gjendje vazhdon, kostoja rritet – në imazh, në ekonomi, në ndikim ndërkombëtar dhe në moralin e qytetarëve. Heshtja ose relativizimi i këtij zhvillimi është një akt i rëndë papërgjegjshmërie.
Në këtë klimë, nuk ka më vend për iluzione politike që e barazojnë kokëfortësinë me mbrojtje të interesit kombëtar. Kosova nuk është në pozitë që të imitojë fuqi të mëdha, as të luajë rolin e liderit rajonal. Është një vend i vogël, i pambrojtur pa aleatë, i ndërtuar mbi marrëdhënie të ndershme me partnerët e tij – mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe është pikërisht kjo marrëdhënie që sot po dobësohet – jo nga populli, por nga ata që pretendojnë se po e përfaqësojnë atë.
Populli i Kosovës ka qenë dhe mbetet fuqimisht pro-amerikan. Ai e kupton qartë se pa SHBA-në nuk ka NATO, nuk ka mbështetje ekonomike, nuk ka rrugë drejt integrimeve euroatlantike. Nuk është Amerika ajo që po largohet nga Kosova – është një klasë politike në arrati nga përgjegjësia. Një klasë politike që e ka ngatërruar përballjen me Serbinë me përballje me aleatët. Dhe kjo është jo vetëm strategjikisht e gabuar, por edhe moralisht e papranueshme.
Këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë “parim shtetëror”. Kemi të bëjmë me një projekt destruktiviteti të elitave politike që, për interesa të ngushta, po dëmtojnë interesin kombëtar në tërësi, për të fituar pikë politike të brendshme, ndërkohë që i gjithë vendi po paguan çmimin. Kemi të bëjmë me një elitë që hesht përballë kësaj rënieje – dhe që për rrjedhojë, bëhet bashkëfajtore.
Është momenti i fundit që kjo arrogancë të ndalet. Kosova nuk ka as luksin historik dhe as hapësirën gjeopolitike për të qenë e vetmuar. As nuk ka alternativë më të mirë, më të sigurt dhe më afatgjatë se partneriteti me SHBA-në. Kush mendon ndryshe, le ta thotë hapur: me kë e shohin të ardhmen e Kosovës – me Kinën, Rusinë apo me një vetizolim grotesk?
Në këtë moment, nuk kemi më nevojë për retorikë patriotike. Kemi nevojë për kthjellim kombëtar. Dhe kjo fillon me pranimin e së vërtetës: rruga ku po ecim nuk është në interes të Kosovës. Nuk është rrugë e shtetit, as rrugë e sovranitetit – është rrugë e izolimit.
Dhe kjo rrugë duhet ndalur tani – përndryshe, shumë shpejt, do të jetë vonë për të kthyer prapa.