Fisnik Xhelili

“Gazetaria është të shkruash diçka që dikush nuk dëshiron të publikohet. Gjithçka tjetër është marrëdhënie me publikun.”

– George Orwell

Jo rastësisht e filloj këtë shkrim me këtë citat, i cili në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për Informim më shumë është revoltë se sa reflektim.

Ndjenjën më të keqe dhe më të çuditshme në këto pesë vite në profesionin e gazetarisë e përjetova para pak ditëve gjatë një ngjarjeje. Përballë heshtjes që shpesh dominon skenën mediatike, përballë redaksive të censuruara dhe mediave të kapura. Aty mu bënë të qarta dy gjëra: nëse heshtim ne, hesht demokracia dhe se po instalohet një diktaturë e ngadaltë.

Gazetaria në Maqedoninë e Veriut nuk po degradon më ngadalë, po shembet. Lajmi i pavarur po zëvendësohet nga versioni i pushtetit, kritika po shndërrohet në luks dhe çdo hap i gazetarit që kërkon të thotë të vërtetën po ndeshet me censurë të hapur.

Heshtja nuk është neutralitet. Heshtja është tradhti.

Së fundmi po e shoh serialin “Borgen”i cili flet për politikën dhe median në Danimarkë, një nga demokracitë më të zhvilluara dhe vendet me lirinë më të madhe të shtypit. Ngjarjet aty më bënë të kuptoj se realiteti ynë është shumë larg skenarit të atij seriali. Një nga protagonistet e serialit, gazetarja Katerina dorëhiqet dy herë (deri në episodin ku kam arritur) nga dy media të mëdha për shkak të presionit sepse ajo nuk do të bëjë kompromis me të vërtetën, ndërsa në realitetin tonë kjo nuk shihet thuaj se fare.

Këtu, në vendin tonë, shumë gazetarë heshtin për të mbijetuar, shumë redaksi kanë dorëzuar moralin për t’i shpëtuar presionit politik. Publiku humb çdo ditë një të drejtë të pakthyeshme: të dijë të vërtetën.

Në këtë vit zgjedhor, rreziku bëhet edhe më i madh. Politika jo vetëm që instrumentalizon mediat për përfitime personale, por ushqen edhe frikën dhe heshtjen mes gazetarëve. Çdo redaksi që i nënshtrohet presionit politik, çdo lajmi i manipuluar që shpërndahet para votimeve, nuk është thjesht një përpjekje për të fituar zgjedhjet, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj demokracisë.

Çdo ditë, lajmet që shpesh shpërndahen nuk janë thjesht informacion por janë produkt i influencës politike dhe interesave të ndryshme klanore.

Derisa ka kontrolle të jashtme mbi narrativën, shoqëria humb kapacitetin të kuptojë realitetin dhe të marrë vendime të informuara. Ky është një sulm sistematik ndaj shoqërisë dhe institucioneve demokratike.

Ne nuk kemi luksin të heshtim. Çdo heshtje është një betejë e humbur për demokracinë, për lirinë e mendimit dhe për të ardhmen e një shoqërie të lirë.

Në këtë 28 shtator, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtës për Informim, le të mos harrojmë: gazetaria nuk është biznes, është mbrojtja e së vërtetës. Dhe kush e tradhton, ka tradhtuar të gjithë shoqërinë.

Mgid