Në emisionin “Rishtaz” të gazetës Koha, zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë dhe një nga liderët e VLEN-it, Arben Fetai, reagoi ndaj deklaratave të Arben Taravarit për “fuqinë e VLEN-it në Qeveri”, duke theksuar se Taravari gjatë gjithë kohës sa ishte pjesë e pushtetit nuk ka pasur asnjë përplasje apo mospajtim me VMRO-DPMNE-në.
“Nuk ekziston asnjë pikë me të cilën Arben Taravari, derisa ishte në Qeveri, është mospajtuar me VMRO-DPMNE-në. Unë e di se jemi marrë vesh me kryeministrin Mickoski për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, si në kuadër të programit të Qeverisë ashtu edhe në zbatim praktik. E mbaj mend qartë, në praninë time, Taravari, me kërkesën time, e ka marrë në telefon Mickoskin dhe i ka thënë se ‘tash duhet të fillojmë punën për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat’, dhe aty jemi pajtuar me një telefonatë”, tha Fetai.
Ai sqaroi se hartimin e këtij ligji e kishte bërë që para tre apo katër vitesh me një grup ekspertësh, dokument që ia kishte dorëzuar aso kohe Zijadin Selës.
“I thashë merre Ligjin, procesoje e ke ministrin e Drejtësisë, ke deputetët si pjesë e shumicës parlamentare por nuk e ka bërë asnjëherë. As Arben Taravari nuk e ka bërë asnjëherë. Unë e kam çuar përpara atë punë nga janari deri në qershor”, shtoi Fetai.
Sipas tij, tashmë është sjellë projektligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili ka shkuar në Komisionin e Venecias, në përputhje me marrëveshjen e arritur më nga Taravari.
Fetai theksoi se ky ligj është një nga katër shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com