Aliu-Kuzmanovska: Me rastin e Fundjavës Evropiane për Dhurimin e Organeve, dërgojmë një mesazh të përbashkët për rëndësinë e këtij akti që shpëton jetë njerëzish

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu dhe zëvendësministri, Jovica Andovski, morën pjesë në një takim pune me rastin e shënimit të Fundjavës Evropiane për Dhurimin e Organeve, në organizim të koordinatores kombëtare për transplantim, prof. dr. Biljana Kuzmanovska, dhe drejtorëve të klinikave universitare për kirurgji digjestive, dr. Kostovski, për urologji dr. Shabani dhe për nefrologji dr. Gjorgjievski.
“Jemi të përkushtuar në përmirësimin e kësaj veprimtarie dhe në përgatitjen profesionale të ekipeve për transplantim. Gjatë periudhës së kaluar, shtatë mjekë kirurgë dhe një specialist nefrolog janë dërguar për trajnim në Republikën e Turqisë për transplantimin e veshkave. Po ashtu, në fushën e transplantimit të mëlçisë, dy kirurgë janë trajnuar në Turqi për transplantim nga donatorë të gjallë. Vetëm që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, ekipet e transplantimit, të cilët punojnë me përkushtim dhe vetëflijim, kanë realizuar transplantim të veshkave te 6 pacientë nga donatorë të vddekur, 2 transplantime të mëlçisë nga donatorë të vdekur, si dhe kanë kryer eksplantime të kockave dhe ligamenteve.”,- theksoi ministri Aliu.
Shënimi i Fundjavës Evropiane për Dhurimin e Organeve është një nismë e Komisionit Evropian, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e këtij akti që shpëton jetë.
“Dhurimi i organeve paraqet aktin më të lartë të humanitetit dhe solidaritetit, dhe njëkohësisht është shpresë për pacientët – dritë në fund të tunelit që u shpëton dhe u zgjat jetën. Synimi ynë është të flasim sa më shpesh për dhurimin e organeve si një temë jashtëzakonisht e rëndësishme mjekësore dhe shoqërore.”,- deklaroi ministri Aliu.
Në takimin e sotëm me rastin e shënimit të Ditës Evropiane të Dhurimit të Organeve – ditë e kushtuar humanitetit, solidaritetit dhe shpresës, prof. dr. Kuzmanovska shprehu mirënjohje të sinqertë për të gjithë dhuruesit dhe familjet e tyre, të cilët edhe në momentet e dhimbjes më të madhe, morën një vendim të guximshëm për të dhuruar jetë.
“Dhurimi i organeve paraqet një nga shprehjet më të larta të mirësisë njerëzore – një akt me të cilin shpëtohen jetë dhe jepet një shans i dytë.”,- tha prof. dr. Kuzmanovska.
Drejtori i Klinikës Universitare për Kirurgji Digjestive, dr. Ognen Kostovski, informoi se klinika ka bërë një hap të madh përpara në transplantimet e mëlçisë, të cilat janë ndër transplantet më komplekse dhe përbëjnë një sfidë të madhe për ekipet mjekësore.
Dr. Bashkim Shabani, drejtor i Klinikës për Urologji, foli për përmirësimet në Qendrën e re për Transplantim, e cila është rinovuar tërësisht, si dhe për rritjen e vazhdueshme të numrit të ekipeve që realizojnë transplantime.
Gjithashtu, drejtori i Klinikës për Nefrologji, dr. Nikola Gjorgjievski, theksoi rëndësinë e dhurimit të organeve, veçanërisht për personat me sëmundje të veshkave, duke theksuar se kjo është metoda më e mirë për shërimin e tyre.