Shkruan: Merxhan Jakupi
Mërgimtarët dhe diaspora shqiptare rrallëherë kanë pasur mundësi të votojnë në vendlindjen e tyre. Një pjesë e tyre kanë marrë pasaporta të shteteve ku punojnë dhe banojnë. Po ashtu, shumë shqiptarë të brezit të dytë në shtetet perëndimore janë përfshirë në politikë dhe në institucione shtetërore me poste të ndryshme, duke filluar nga prefektë e deputetë, deri te ministra.
Fushatat elektorale dhe mënyra se si zhvillohen ato kanë divergjenca dhe kontraste mes shteteve demokratike perëndimore dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Në Zvicër, për shembull, me fillimin e fushatës elektorale nuk ka manifestime, përveç pankartave të vendosura nëpër rrugë, tubimeve në salla dhe debateve publike. Në panelet televizive dhe në media, mjetet e informimit, popullata nuk është e politizuar, e polarizuar apo e instrumentalizuar. Çdo qytetar voton sipas bindjes së vet. Vota është e shenjtë dhe nuk mund të ndërhyjnë as partnerët.
Kultura politike mes popullit, subjekteve politike dhe liderëve karakterizohet nga toleranca dhe harmonia. Po ashtu, nuk vërehen akuza, intriga dhe fyerje mes rivalëve dhe liderëve të subjekteve politike.
FYERJET, INTRIGAT DHE ETIKETIMET MES RIVALËVE POLITIKË
Zgjedhjet dhe fushatat elektorale në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, në krahasim me shtetet perëndimore, mund të përshkruhen me mungesë të tolerancës, përdorimi të zhargonit fyes, me akuza dhe sharje. Liderët politikë përgjithësisht dalin me premtime, slogane dhe parulla të thata. Edhe liderët e opozitës, në shumë raste, gjatë fushatave elektorale, akuzojnë dhe fyejnë pushtetarët dhe liderët e partive kundërshtare pa argumente, pa ide konstruktive, pa platformë dhe vizion, me çdo kusht vetëm për të ardhur në pushtet.
Gjatë periudhës së fushatës elektorale, një pjesë e turmës dhe simpatizantëve politikë, shpesh pa punë dhe të mbledhur në kafene e çajtore, bëjnë politikë. Ata janë të politizuar, të polarizuar dhe të homogjenizuar. Turma merret me fyerje, sharje dhe akuza. Njëra palë duke ngritur në piedestal dhe mitizuar liderin e një partie, ndërsa pala tjetër, duke sharrë etiketuar si “tradhtar”.
ZGJEDHJET LOKALE NË MAQEDONINË E VERIUT
Zgjedhjet lokale të vitit 2025 nuk pritet të sjellin ndonjë risi apo ndryshim të rëndësishëm në komunat me shumicë shqiptare. Dy partitë relevante shqiptare, BDI dhe VLEN, po vazhdojnë me të njëjtën avaz, se kush do të qeverisë. Vazhdojnë me premtime dhe parulla të thata, duke u premtuar votuesve investime, vende pune dhe reforma, ndërsa fushatat e tyre shoqërohen me akuza, intriga dhe fyerje, si çdo herë.
Në këto zgjedhje nuk pritet të ketë ndryshime se cila subjekt politik do t’i fitojë në komunat me shumicë shqiptare. Timoni i anijes vazhdon të jetë në duart e VMRO-së dhe LSDM-së. Nga këto dy parti maqedonase është varur dhe do të varet ardhmja e Maqedonisë së Veriut.
Partitë shqiptare, si gjithmonë, kanë qenë si një “gjethe e pemës që noton në lumë dhe përfundon në digë”. Kaq kanë influencë partitë dhe liderët shqiptarë.
Nëse iu rikthehemi tri dekadave të fundit, vërehet se në rajonet perëndimore të vendit, ku shqiptarët janë shumicë, nuk ka pasur investime të huaja apo investime nga Shkupi.
Ndarja e buxhetit shtetëror ka qenë dhe vazhdon të jetë joproporcionale. Shumica e shkon në pjesët me shumicë të banuara nga qytetarë maqedonas.
Qytetet me shumicë shqiptare janë shndërruar thuajse në qytete bregdetare që varen nga turizmi. Një pjesë e banorëve të Maqedonisë së Veriut jetojnë nga të ardhurat e mërgatës shqiptare. Miliona euro dhe dollarë që dërgojnë mërgimtarët shqiptarë në atdhe mbushin arkën e shtetit, duke kompensuar deficitin shtetëror.
Pjesa e qyteteve me shumicë shqiptare jetojnë nga gastronomia, shërbimet tregtare dhe bizneset e vogla.
Rruajtja e pushtetit përmes strukturave të vjetra vazhdon të ruajë status quon, pozitat dhe kontrollin në të gjitha fushatat. Punësimet në bazë partiake vazhdojnë akoma, ndërsa shumë kuadro pa eksperiencë dhe të pakualifikuar dhe me diploma të dyshimta vazhdojnë të marrin poste publike.
Sistemi shëndetësor është i kalbur, me mjekë të korruptuar që shkelin etikën e Hipokratit. Ndërkohë, mijëra studentë, pasi marrin diplomat nuk kanë perspektivë. Diplomat përfundojnë në sirtarë që i mbulon pluhuri, ndërsa e vetmja rrugë u mbetet largimi nga vendi, duke kërkuar viza pune në shtetet perëndimore për të punuar si punëtorë krahu, kamarierë apo pastrues.
Në dy subjektet politike shqiptare, mungojnë idetë, vizioni, pragmatizmi dhe kultura politike. Në këto dy parti dhe në të tjera minore, vazhdojnë të qeverisin të njëjtat kuadro dhe struktura të vjetra. Shumë nga këta “oponentë” politikë kanë dalë si fraksion nga një parti tjetër, duke trokitur në derën e partive tjera.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë nevojë për një lider karizmatik, që bashkë me oponentë dhe aktorë të tjerë politikë do të sjellin ide inovative, pragmatike dhe reformuese. Filozofi anglez John Locke thoshte: “Kur liria shndërrohet në anarki, është më e keqe se robëria”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com