Evropa nuk pranon shtete që ndajnë qytetarët sipas përkatësisë, por ato që ndërtojnë
vlera të përbashkëta mbi drejtësi dhe përfshirje. NATO nuk ofron vetëm siguri ushtarake,
por kërkon stabilitet politik të brendshëm dhe partneritet shoqëror. Elita shtetërore
maqedonase duhet të heqë dorë nga nostalgjitë e rrezikshme të projekteve etnocentrike dhe
të përqafojë filozofinë e bashkëjetesës si model të së ardhmes.
Nga Prof. dr. Skënder ASANI
Kur një shtet arrin në pikën e maturisë politike, ai duhet të dijë të zgjedhë mes kujtesës dhe
përgjegjësisë, mes frikës dhe vizionit. “Udhëkryqi i maturisë politike” nuk është një metaforë
abstrakte, por realiteti me të cilin përballet sot Maqedonia e Veriut. Ky është momenti që do të
përcaktojë nëse vendi do të ecë përpara drejt së ardhmes euroatlantike, apo do të mbetet peng i
projekteve etnocentrike që e kanë mbajtur për tri dekada në ciklin e krizave dhe përçarjeve të
përsëritura.
Maturia politike, në këtë kontekst, nënkupton aftësinë për të braktisur retorikën e frikës, për të
zgjedhur bashkëjetesën mbi dominimin dhe për ta bërë kohezionin ndëretnik themel të
shtetformësisë moderne.
Historia politike e Maqedonisë së Veriut nuk matet me numrin e institucioneve që ka ndërtuar,
por me aftësinë për të nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës. Për gati tri dekada, vendi ka
kaluar nëpër cikle të përsëritura krizash politike dhe ndëretnike, që nuk kanë qenë produkt i
natyrës së shoqërisë, por i projekteve të vjetra nacionaliste të rikthyer në formë moderne. Çdo
herë që vendi i afrohet një etape të re integruese, zgjohen impulset e vjetra të përjashtimit dhe
dominimit etnik, të cilat përpiqen ta mbajnë shtetin peng të së kaluarës.
Fushata parazgjedhore e vitit të kaluar dëshmoi se si retorika populiste mund të kthehet në
mekanizëm të rrezikshëm për deformimin e vet shtetësisë. Me tezën për “rikthimin e shtetit”,
kryeministri Mickovski arriti të fitojë zgjedhjet parlamentare, duke ndërtuar një narrativë që
synonte jo reformimin, por suprimimin e ligjeve që përbëjnë bazën e shtetformësisë së
shqiptarëve. Pas marrjes së pushtetit, qeveria e tij hapi rrugën për marrëveshje të errëta financiare
me hua miljardëshe të paqartë në origjinë dhe i krijoi terren të lirë shtrirjes së botës serbe dhe
ndikimit ruso-kinez, duke e futur shtetin në një trajektore pa drejtim dhe pa siguri. Edhe në nisje
të fushatës për zgjedhjet lokale, retorika e tij politike vazhdon të mbajë të njëjtin ton përjashtues,
duke paralajmëruar eliminimin e subjektit politik shqiptar që lindi nga fryma e Marrëveshjes së
Ohrit forcë që për dy dekada ka qenë promotore e zbatimit të saj. Pas këtyre zgjedhjeve,
përgjegjësia për orientimin e ardhshëm të Maqedonisë bie mbi vetë kryeministrin: nëse vendi do
të zgjedhë rrugën e stabilitetit dhe integrimit euroatlantik, apo do të zvarritet drejt një spiraleje
konfliktesh që mund ta zhysin në paqëndrueshmëri dhe pa perspektivë.
Në vend që të ndërtohet një model qeverisës mbi besimin qytetar dhe barazinë institucionale,
elitat politike kanë lejuar që kalkulimet e ngushta partiake të errësojnë vizionin shtetëror. Kështu,
edhe proceset më të rëndësishme si ndryshimet kushtetuese dhe debatet identitare janë
instrumentalizuar për përfitime politike afatshkurtra, duke zbehur frymën e partneritetit ndëretnik
që e bëri të mundur stabilitetin pas vitit 2001.
Kujtesa historike e vitit 2001 nuk duhet parë si traumë, por si busull për të ardhmen. Marrëveshja
e Ohrit nuk ishte vetëm pakt për paqe, por themel për një rend të ri demokratik, që e ngriti
barazinë qytetare në parim kushtetues dhe e bëri bashkëjetesën pjesë të identitetit shtetëror.
Çdo tentativë për ta relativizuar këtë marrëveshje, për ta zëvendësuar me modele të selektivitetit
etnik apo për ta përdorur si mjet presioni politik, është devijim nga rruga e stabilitetit dhe e
integrimit. Historia e këtij vendi ka dëshmuar se sa herë është sfiduar fryma e Ohrit, vendi është
zhytur në krizë; dhe sa herë është respektuar ajo, Maqedonia e Veriut ka ecur përpara në rrugën
euroatlantike.
Në këtë realitet politik, faktori shqiptar ka luajtur dhe vazhdon të luajë rolin më stabilizues në
shtet. Shqiptarët kanë dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj vlerave europerëndimore dhe
kanë qenë promotorë të barazisë qytetare, duke ruajtur stabilitetin edhe në momentet më të
ndjeshme.
Por kjo përgjegjësi nuk mund të mbetet e njëanshme. Një shtet nuk mund të ndërtohet mbi
sakrificën e njëanshme të një komuniteti, por mbi përkushtimin e përbashkët të të gjithë
qytetarëve. Elita shtetërore maqedonase duhet të kuptojë se respektimi i faktorit shqiptar nuk
është çështje favori, por garanci për ekzistencën e vet shtetit multietnik.
Kohezioni ndëretnik nuk është luks politik, as kompromis i përkohshëm është strategji shtetërore
për mbijetesë dhe zhvillim. Në një rajon ku tensionet etnike dhe ndërhyrjet e jashtme janë ende
faktor destabilizues, vetëm ndërtimi i një shoqërie me barazi reale dhe besim të ndërsjellë mund
të garantojë stabilitet afatgjatë.
Evropa nuk pranon shtete që ndajnë qytetarët sipas përkatësisë, por ato që ndërtojnë vlera të
përbashkëta mbi drejtësi dhe përfshirje. NATO nuk ofron vetëm siguri ushtarake, por kërkon
stabilitet politik të brendshëm dhe partneritet shoqëror.
Maqedonia e Veriut duhet ta kuptojë këtë realitet: pa konsensus të brendshëm ndëretnik, çdo
proces integrues mbetet formal dhe i brishtë.
Ky është momenti kur Maqedonia e Veriut duhet të tregojë maturi politike dhe historike. Koha e
alibive ka përfunduar. Nëse ky vend dëshiron të ruajë stabilitetin dhe të hapë perspektivën e
integrimit, duhet të lirojë veten nga pengjet e së kaluarës dhe të ndërtojë një kontratë të re
shoqërore mbi partneritetin ndëretnik, respektin institucional dhe drejtësinë qytetare.
Elita shtetërore maqedonase duhet të heqë dorë nga nostalgjitë e rrezikshme të projekteve
etnocentrike dhe të përqafojë filozofinë e bashkëjetesës si model të së ardhmes. Sepse vetëm një
Maqedoni e Veriut që e ndërton të ardhmen mbi respekt, barazi dhe vizion përbashkues do të
mund të ecë me siguri drejt integrimit euroatlantik dhe të fitojë respektin e partnerëve
ndërkombëtarë.
Ky është udhëkryqi i maturisë politike: të zgjidhet rruga e bashkëjetesës si garanci për paqe,
zhvillim dhe perspektivë përndryshe, historia nuk do të falë përsëritjen e gabimeve, por do të
dëshmojë se mungesa e maturisë politike mund të kthehet në autogol historik, ku humb jo vetëm
stabiliteti, por edhe vet ideja e shtetit multietnik që u ndërtua me shumë sakrifica. Dhe në atë
moment, do të jetë tepër vonë për t’u rikthyer në udhën e arsyes politike që e kërkon koha dhe
historia.
Shkup, 13 tetor 2025