Aktorja legjendare italiane, Ornella Muti, një nga ikonat e kinemasë evropiane, ka folur hapur për jetën e saj personale dhe profesionale në një intervistë televizive, duke rrëfyer edhe marrëdhënien e përfolur ndër vite me kantautorin e madh italian, Adriano Celentano.
Muti, e cila nisi karrierën e saj në ekran në moshën vetëm 14-vjeçare dhe sot numëron plot 70 vite jetë, kujtoi fillimet, vështirësitë dhe sukseset që e shndërruan në një nga figurat më të dashura të kinematografisë. Ajo tregoi se emrin e saj artistik ia sugjeroi një regjisor, megjithëse nuk është e bindur se i përshtatet plotësisht:
“Një regjisor zgjodhi emrin tim skenik. Është një emër i bukur, por ndonjëherë mendoj se nuk më shkon”, u shpreh ajo.
Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendje ishte rikthimi në kohë te romanca e bujshme me Adriano Celentanon, një histori që në atë kohë shkaktoi shumë thashetheme. Aktorja pranoi se, edhe pse ishte e fejuar me Federico Facchinetti-n, ndjenjat për Celentanon ishin të forta dhe të paharrueshme.
“Kur kisha lidhje, gjithmonë mendoja se isha e dashuruar. Nuk e mendova kurrë se do të kisha një lidhje të tillë dhe nëse shikoj pas, pavarësisht pasojave, kam kujtimin e një aventure të mrekullueshme”, tha ajo.
Aktorja shtoi se situata nuk ishte e lehtë, por gjithçka u përballua me maturi:
“Folëm për këtë sepse ishte një problem, por e zgjidhëm falë tij, pasi është një njeri shumë inteligjent”.
Në intervistë, Ornella Muti ndau edhe kujtime të tjera nga jeta e saj, përfshirë miqësinë e fortë me aktoren Eleonora Giorgi, e cila ndërroi jetë më 3 mars, në moshën 71-vjeçare, pas një beteje të vështirë me tumorin në pankreas.
“Ajo na dha një mësim të shkëlqyer për dinjitetin dhe guximin”, tha Muti me emocion, duke kujtuar edhe bisedën e fundit me shoqen e saj të ngushtë:
“Eleonora ishte e qetë dhe shumë e fortë. Unë, në vend të saj, do të kisha qarë gjatë gjithë kohës”.
Me një karrierë të jashtëzakonshme që përfshin mbi pesë dekada në film, Ornella Muti mbetet një prej ikonave më të ndritshme të kinemasë italiane, e njohur jo vetëm për talentin e saj artistik, por edhe për jetën plot pasion e emocione që e shoqëroi gjithmonë.