Shkruan: Merxhan Jakupi
Nëpër portale serbe, panele dhe debate, shumë analistë dhe politologë serbë nëpërmjet edhe polemikave kanë shtruar tema dhe fenomene që lidhen me arsyet pse serbët, boshnjakët dhe maqedonasit ende nuk janë bërë pjesë e familjes evropiane dhe të Bashkimit Evropian.
Sipas disa analistëve, shkaku dhe arsyeja qëndroka në faktin se BE-ja, është një “klub katoliko-protestant”, ndërsa këta popuj janë bizantin-ortodoks.
Një pjesë e analistëve serbë nuk pajtohen me këtë nocion dhe me këtë narrativë, sepse në BE, siç dihet, janë edhe popuj ortodoksë si grekët, bullgarët, qipriotët dhe rumunët.
Një pjesë e analistëve serbë, theksojnë se shkaku dhe faktori kryesor i mosintegrimit të këtyre popujve është tek përplasjet midis kulturave dhe qytetërimeve. Analisti serb Sllobodan Samarxhiç, thotë se këta popuj kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane për më shumë se pesë shekuj.
Shpesh, nga debatet e analistëve serbë, kjo tezë bie poshtë. Stagnimi, deficiti demokratik dhe mosintegrimi i këtyre popujve në Bashkimin Evropian nuk kanë si shkak faktin se këta popuj kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane. Turqit na kanë kaluar në shumë fusha, në dije, shkencë, teknologji dhe në standarde . Madje, theksojnë kjo pjesë e analistëve serbë, edhe Shqipëria po na tejkalon, një vend i prapambetur dhe bastion stalinist, që me gjasë do të hyjë në Bashkimin Evropian përpara nesh. Tirana, nga një kasaba orientale, është shndërruar në një metropol evropian ku zhvillohen shumë samite ndërkombëtare dhe që pret miliona vizitorë çdo vit.
Ndërkohë, aeroporti i Beogradit ka mbetur si një aeroport provincial, kurse në periudhën e diktaturës, aeroporti i Tiranës ishte një shembull tipik i aeroporteve të improvizuara, të tipit të aeroporteve të mafias dhe narkodilerave të shteteve të Amerikës Latine.
Mosintegrimi, deficiti demokratik dhe mosfunksionimi i institucioneve në këto shtete dhe te popujt e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe shqiptarët, ndërlidhet me faktin se këta popuj kanë trashëguar shprehitë, mentalitetin, zakonet dhe idetë e vjetra të sistemeve totalitare dhe autoritare. Për shembull, në Bashkimin Sovjetik mesatarisht punohej vetëm 2 orë e gjysmë në ditë, ndërsa në ish-Federatën Jugosllave koha mesatare e punës ishte rreth 3 orë e gjysmë.
Në më shumë se tri dekada, në shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdon e njëjta retorikë, i njëjti mentalitet dhe të njëjtat shprehi nga e kaluara. Sipas disa sondazheve, në këto vende të rajonit, puna efektive mesatare vazhdon të jetë rreth 3 orë e gjysmë në ditë.

PËRPLASJET E QYTETËRIMEVE MES POPUJVE TË BALLKANIT DHE ATYRE TË PERËNDIMIT

Sipas filozofit dhe sociologut francez Gustav Le Bon, qytetërimet e popujve janë krijuar dhe zhvilluar në përputhje me karakterin, idetë dhe mënyrën e të menduarit të tyre.
Popujt e Evropës Perëndimore, pas periudhës së renesancës dhe humanizmit, hynë në një epokë të evoluimit, ku rolin udhëheqës në zhvillimin dhe reformimin e mori përparimi i dijes, arteve, letërsisë, shkencës, dhe edukimit.
Popujt e Ballkanit ishin për më shumë se pesë shekuj nën sundimin e Perandorisë Osmane. Po ashtu, popujt pansllavistë bizantino-ortodoksë mbetën nën sundimin e carëve rusë.
Në veprën e tij “Përplasja e qytetërimeve” autori Samuel Huntington qytetërimin bizantin dhe qytetërimin e lindjes islame, e fut në një kazan. Sipas këtij filozofi dhe antropologu, këto dy qytetërime janë lindore. Si pjesë e këtyre qytetërimeve janë edhe popujt e Ballkanit.
Kështu, mund të kuptojmë faktorët pse popujt e Ballkanit Perëndimor nuk u integruan dhe transformuan, por mbeten në një qorsokak.
Nevojiten shumë breza e gjenerata që të shkëputen nga trashëgimia e karaktereve, ideve dhe mentaliteteve të trashëguara nga paraardhësit e tyre. Këta popuj, duke evoluar në drejtim të ideve moderne, arritjeve shkencore e teknologjike, si dhe të pavarësisë individuale, do të mund të jenë pjesë e familjes evropiane.
Sipas filozofit slloven Slavoj Zhizhek, hyrja e shteteve të Evropës Lindore në Bashkimin Evropian, siç janë Polonia, Çekia, Hungaria, Sllovakia dhe, në fund, dy shtete të ish-Federatës Jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia, u mundësua sepse këto vende i takonin qytetërimit perëndimor.
Gjatë periudhës së ish-Federatës Jugosllave, kishte një thënie se “prej Zagrebit fillon Evropa.” Këto dy republika, ishin më të zhvilluara , ndërsa dy popujt në periudhën e monizmit të Jugosllavisë së Titos kishin pak lidhje me popujt e jugut. Lëvizjet, qarkullimi dhe udhëtimet e tyre ishin kryesisht drejt shteteve perëndimore si Austria, Gjermania, Italia e të tjera.
Sllovenët dhe kroatët edhe pse kanë origjinë dhe etnogjenezë sllave, ata kanë pasur shpesh përplasje me popujt sllavë të jugut, boshnjakët, maqedonasit dhe malazezët, sidomos me serbët që kanë përgjakur historinë.
Në veprën e tij “Vizioni Strategjik”, autori Zbigniew Brzezinski ka theksuar se, në të ardhmen, konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë mund të shpërthej në një luftë me përmasa kontinentale. Lufta në Ukrainë, është përplasje mes dy qytetërimeve, atij perëndimor dhe atij lindor.
Divergjencat kulturore mes popullit të Ukrainës kanë rrënjë të thella historike. Ukraina ka qenë për shekuj nën sundimin e perandorive evropiane, dhe perandorëve rusë. Shumica e ukrainasve janë ortodoksë “unit”, dhe kjo pjesë e shoqërisë i përket qytetërimit perëndimor. Ndërkaq, pjesa tjetër, që ka jetuar për një kohë të gjatë nën sundimin rus, ka kulturë bizantine pansllaviste lindore.

Edhe rusët, që nga koha e Pjetrit të Madh, carit që filloi ta europizojë popullin rus, hoqën xhubet, mjekrat dhe filloi të evropianizohet. Pjetri i Madh nuk arriti ta evropianizojë popullin rus. Fatkeqësisht, rusët mbetën përgjatë shekujve të ndarë në shoqëri lindore, tradicionale dhe një pjesë urbane në qytetin e Petersburgu, Moskës dhe qytete tjera, si shoqëriliberale, pro-perëndimore dhe transatlantike. Kjo shoqëri mbetet kundër regjimit despotik dhe autoritar të Vlladimir Putinit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com