Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh mbështetjen e plotë për kërkesat e sindikatave për rritjen e pagës minimale dhe thekson se kjo është masa më e nevojshme sociale dhe ekonomike.

Nga BDI thonë se sipas të gjithë treguesve makroekonomikë të disponueshëm, Maqedonia ka pagën minimale më të ulët në rajon dhe gjatë 2 viteve të fundit ka shënuar përparimin më të dobët në përafrimin e të ardhurave me kostot reale të jetesës.

“Paga minimale në vend është vetëm 397 euro, me paralajmërim për rritje minimale në 422 euro nga marsi i vitit 2026. Shqipëria dhe Serbia kanë pagë minimale 500 euro, ndërsa në Serbi nga 1 janari 2026 ajo rritet në 550 euro. Në Mal të Zi, personat me arsim të mesëm kanë pagë minimale 600 euro, kurse ata me arsim të lartë 800 euro pagë minimale”.

“Në Bosnje paga minimale është 511 euro, ndërsa në Kosovë nga 425 euro paga minimale rritet në 500 euro në vitin 2026. Maqedonia e Veriut jo vetëm që është e fundit në rajon, por çdo vit e rrit hendekun. Kjo e bën fuqinë punëtore vendase më të lirën dhe më të ekspozuarën ndaj varfërisë dhe emigrimit. Sipas të dhënave të dy viteve të fundit, inflacioni kumulativ ka arritur mbi 30%, ushqimet janë shtrenjtua me 35 deri 45%, ndërsa energjentët me 40%. Një familje mesatare shpenzon 50–60% të të ardhurave vetëm për ushqim, ndërsa me pagën aktuale minimale, punëtori mund të mbulojë vetëm 62% të shportës minimale të konsumit për një familje me katër anëtarë”.

“Këto të dhëna tregojnë se paga minimale aktuale objektivisht nuk i mbulon shpenzimet bazë të jetesës, duke e kthyer atë në pagë për mbijetesë, e jo për një jetë me dinjitet. Logjika ekonomike është e qartë: paga minimale duhet ta ndjekë produktivitetin. Në Maqedoni produktiviteti për punëtor është rritur me 20%, ndërsa paga minimale është rritur më pak se 10% edhe pas korrigjimeve inflacionare. Norma e profitabilitetit në sektorët e bazuar në punë të shumtë mbetet mbi 15%, çka tregon se ka hapësirë për rritje të pagave pa kurrfarë rreziku apo dëmi për bizneset”, thonë nga BDI.

Nga BDI kërkojnë që “paga minimale të përshtatet me kostot reale të jetesës dhe të arrijë nivelin mesatar rajonal; të zbatohet model indeksimi që ndjek inflacionin dhe produktivitetin; të sigurohet mbështetje fiskale për kompanitë mikro dhe të vogla, sipas modelit të Shqipërisë, për kalim të qetë drejt pagave më të larta; të ndërmerren masa aktive për të mbajtur fuqinë punëtore dhe për të zvogëluar emigrimin”, thonë nga BDI.

Prej atje gjithashtu thonë se do të vazhdojnë të angazhohen që paga minimale të rritet në mënyrë që të sigurojë jetë me dinjitet, punëtorët të mos jetojnë në varfëri dhe vendi të mos mbetet prapa të gjitha vendeve të rajonit.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com