Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tashmë ka arritur në Samitin për Planin e Rritjes, “Rruga jonë drejt BE” që po mbahet në Shqipëri e ku është pritur nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Pritja po bëhet në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Shqipëria sot mikpret një tjetër ngjarje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, Samitin për Planin e Rritjes, “Rruga jonë drejt BE”, që do të bëjë bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor, Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos, përfaqësues të lartë nga Komisioni Europian, si dhe nga organizatat rajonale, – në një diskutim për Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian, i cili promovon një mjedis të favorshëm për inovacionin, sipërmarrjen dhe progresin teknologjik dhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe konkurrueshmëri, si një gur themeli për rritjen afatgjatë dhe konvergjencën e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.