Procesi i ndarjes së vauçerëve studentorë me vlerë për blerjen e pajisjeve elektronike po zhvillohet në mënyrë intensive, dhe interesi është rekord. Studentët tashmë po aplikojnë dhe po i marrin pajisjet që do t’u mundësojnë studime moderne, konkurruese dhe në nivel evropian.

Qeveria informon se deri më 22 nëntor, janë ndarë gjithsej 33.682 vauçerë, secili në vlerë prej 15.300 denarësh. Nga këta, 11.500 studentë tashmë e kanë realizuar vauçerin dhe kanë marrë pajisjen e tyre të re elektronike.

“Këto shifra tregojnë qartë se interesimi është i jashtëzakonshëm, zbatimi është i qëndrueshëm dhe masa po jep rezultate të vërteta. Kjo masë nuk është as e rastësishme e as e improvizuar, por e planifikuar saktë dhe me kohë nga Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e transformimit digjital dhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”, tha zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. Me këtë masë, studentët marrin mjete që i afrojnë ata me standardet evropiane në arsim – pajisje moderne që sigurojnë bazë të barabartë digjitale me atë të kolegëve të tyre evropianë, duke u mundësuar qasje në burime online, biblioteka digjitale, programe ndërkombëtare dhe platforma moderne për mësim. Kjo nënkupton një përgatitje më konkurruese për tregun e punës që kërkon aftësi digjitale, si dhe një ulje thelbësore të pabarazisë digjitale, e cila është parakusht kyç për një garë akademike të barabartë sipas standardeve evropiane. Aplikimi për vauçerët studentorë vazhdon më tej përmes Portalit kombëtar të e-shërbimeve uslugi.gov.mk, dhe të gjithë studentët kanë mundësi të paraqesin aplikimin e tyre deri më 20 dhjetor 2025, pa marrë parasysh nëse figurojnë apo jo në evidencën e MASh-it. Procesi është i thjeshtë, plotësisht i digjitalizuar dhe mundëson marrjen e shpejtë të vauçerit me vlerë, i cili mund të realizohet deri më 31 dhjetor 2025. Të gjithë studentët janë të inkurajuar ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë me kohë për pajisjen që do t’i ndihmojë në studimet e tyre dhe në zhvillimin e tyre arsimor modern.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com