Në Universitetin e Tetovës, më 29 dhe 30 nëntor 2025, u mbajt takimi hyrës i projektit të ri të Erasmus+, i cili synon përmirësimin e mësimdhënies, të nxënit dhe kërkimin shkencor në fushën e fizikës mjekësore në vendet e Evropës Juglindore, duke integruar teknologji moderne, pedagogji inovative dhe përvojë klinike bashkëkohore.
Projekti i cili zhvillohet në kuadër të programit Erasmus+, do të zbatohet nga data 1 nëntor 2025 deri më 31 tetor 2028, ndërsa përfshin partnerë të rëndësishëm akademikë dhe klinikë nga rajoni, si: Universiteti i Kraiovës – Rumani si bartës i projektit, Universiteti “Aristotel” i Selanikut – Greqi, Universiteti i Plovdivit – Bullgari, Spitali Papageorgiou Selanik – Greqi si dhe Universiteti i Tetovës si partner aktiv në realizimin e aktiviteteve.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, Prof. Dr. Florim Idrizi, theksoi rëndësinë e projektit për forcimin e kapaciteteve akademike dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar: “Është kënaqësi e veçantë t’ju mirëpres sot në universitetin tonë për takimin hyrës të projektit Erasmus+. Ky projekt paraqet një mundësi të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve tona akademike dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e fizikës mjekësore. Në një kohë kur arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor po transformohen me shpejtësi nga teknologjitë bashkëkohore, ky partneritet synon të zhvillojë qasje inovative në mësimdhënie, të nxisë praktika të avancuara klinike dhe të forcojë dimensionin kërkimor të kësaj fushe. Dua të falënderoj edhe partnerët nga Rumania, Bullgaria dhe Greqia për bashkëpunimin, duke vlerësuar kontributin e Prof. Dr. Bashkim Ziberit në përfshirjen e Universitetit të Tetovës në project.” – theksoi Prof. Dr. Florim Idrizi.
Koordinatorja e projektit, Micaela Tinka, nga Universiteti i Kraiovës, theksoi se përmes këtij bashkëpunimi synohet modernizimi i programeve studimore dhe aplikimit praktik. Sipas saj, ky projekt ka për qëllim përmirësimin e kurrikulave të mësimdhënies, si dhe zbatimin praktik dhe klinik të fizikës mjekësore dhe rolin e fizikantëve mjekësorë në punët spitalore.
Prof. Dr. Bashkim Ziberi theksoi rolin kyç që projekti ka në ngritjen profesionale të fizikantëve mjekësorë dhe tha se qëllimi i këtij projekti është që ne të fillojmë nga edukimi i kuadrove të ardhshme, respektivisht studentëve, e deri te perceptimi dhe zbatimi praktik e klinik i fizikës mjekësore, si dhe forcimi i rolit të fizikantit mjekësor që kontribuon nëpër spitale.
Projekti pritet të sjellë rezultate konkrete në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies, përgatitjen e profesionistëve të rinj dhe përforcimin e standardeve të kërkimit shkencor në fushën e fizikës mjekësore në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com