Mickoski: Investohet dyfish më shumë në prokurori krahasuar me mesataren evropiane, derdhja e parave në PSP përfundoi me një valixhe “Louis Vuitton”me ryshfet
Kryeministri Hristijan Mickoski, në intervistë për “360 gradë” në RTM, i pyetur për financimin e gjyqësorit dhe raportin e Këshillit të Evropës, bëri krahasim të përqindjes e cila alokohet nga BPV-ja për gjyqësorin në Maqedoni krahasuar me atë të Sllovenisë, si dhe krahasim të BPV-së për kokë banori në Maqedoni me atë në Slloveni, e më pas i krahasoi edhe pagat e gjyqtarëve.
“Pagën që e merr një gjyqtar fillestar në Maqedoni, në bruto është diku rreth 19.134 euro në vit, sipas raportit të Këshillit të Evropës, ndërsa në Slloveni ajo pagë është pak më e madhe se 34.000 euro bruto. I njëjti gjyqtar fillestar. Ndërkohë, për BPV-në në Maqedoni i njëjti raport thotë se është diku mbi 6.600 euro për kokë banori, ndërsa për atë sllovene mbi 27.000 euro për kokë banori. Me fjalë të tjera, paga e një gjyqtari fillestar në Slloveni është afërsisht 85% më e lartë se paga e një gjyqtari fillestar në Maqedoni, në kushte kur BPV-ja është rreth 350% më e madhe se BPV-ja në Maqedoni” theksoi Mickoski, i cili, duke krahasuar BPV-në në Slloveni dhe në BE me BPV-në në Maqedoni, tha se raporti me Slloveninë është tre ndaj një, ndërsa në kushtet kur BPV-ja për kokë banori në Maqedoni është 6.600 euro dhe në BE mbi 30.000 euro, raporti është pesë ndaj një.
Sa i përket pyetjes nëse duhet të ndahen më shumë para për gjyqësorin, që gjykatat dhe prokuroritë publike të punojnë më me efikasitet dhe të ndajnë drejtësi më cilësore, Mickoski theksoi faktin se ne si shtet ndajmë për gjyqësorin më shumë para sesa mesatarja dhe mediana e vendeve të përfshira në raportin e përgatitur nga Këshilli i Evropës, pra të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.
“Ne ndajmë 0,39% të BPV-së sipas analizës së Këshillit. Sipas analizës sonë është 0,44%. Mesatarja evropiane është 0,30%. Sipas BPV-së për kokë banori, ne ndajmë tre herë më pak se mesatarja evropiane, në kushte kur BPV-ja jonë është pesë herë më e vogël”, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski u thirr edhe në të dhënat nga Shqipëria, për atë se sa ndahet aty për shkak të krahasimeve të shpeshta, ndërsa atje përqindja është 0,2%, ose dy herë më e ulët se në Maqedoni për kokë banori.
Sa i përket pyetjes nëse financimi i PSP-së do të ishte një shembull i mirë për financimin e gjyqësorit, Mickoski theksoi:
“PSP-ja nuk mund të jetë model i mirë për financim, sepse në fund përfundoi e paketuar në një valixhe ‘Louis Vuitton’”, tha Mickoski.
Mickoski theksoi se për gjendjen në gjyqësor problemi nuk është te paratë, por te vetëdija, duke theksuar se gjyqtarët janë të paguar në mënyrë të përshtatshme për të dhënë shumë më tepër sesa po japin tani, duke krahasuar pagën e kryeministrit me atë të kryetarit të një Gjykatës Themelore, e cila është 25% më e lartë se paga e kryeministrit.
Mickoski përsëriti se në gjyqësor ka shumë prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm, për dallim nga një numër i vogël që shkëmbejnë deklarata publike me të. Ai po ashtu përsëriti propozimin që t’i dorëzohet Qeverisë një listë me informacion për atë që u nevojitet, për punësime të reja, asistentë dhe hetues, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë ta miratojnë atë listë, ndërsa Qeveria do ta pranojë si rritje.
“E pranoj që vetë të përgatisin listën, t’ua miratojë Këshilli Gjyqësor ose Këshilli i Prokurorëve Publikë, ashtu siç kërkojnë për atë që duan të punësojnë dhe që u nevojitet, dhe ne do ta pranojmë si rritje. Le të bëjnë listë sa hetues u duhen, sa asistentë, le të bëjnë sistematizim, le të avancojnë siç mendojnë ata, le t’ua miratojë Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve dhe le të na informojnë se në Buxhet për këtë qëllim nevojiten aq para, ndërsa ne do t’i miratojmë. Unë jam përgjegjës për paratë e qytetarëve se si shpenzohen. Publikisht u bëj thirrje, bëni listë, tregoni cilat janë implikimet fiskale, me ribalancin do të plotësohen ato para. Dhe kjo është thënë publikisht disa herë. Meqë tani për tërë vitin janë paraparë mjete në Buxhet për paga në gjyqësor, në katër-pesë muajt e parë do të shpenzohet një pjesë e atyre parave dhe për të punësuarit e rinj ajo pjesë do të jetë pak më e madhe, ndërsa ajo diferencë me ribalancin do t’u kthehet për tërë vitin”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për “360 gradë” në Televizionin Maqedonas.