Studentët e Universitetit të Tetovës, përkatësisht të Katedrës së Informatikës-Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore (FSHMN), Gent Kurtishi, Endrit Zejneli, Arton Useini dhe Eldar Mustafa, kanë fituar vendin e parë në garën nacionale MKSafeNet Innovators 2025 të mbajtur në Institutin Max Vander Shtul në UEJL, nën mentorimin e Prof. Dr. Festim Halili, profesor në po të njëjtën katedër.
Gjatë këtij hakatoni prestigjioz, ekipi i UT-së realizoi një demonstrim të drejtpërdrejt me karakter edukues, ku u paraqit në mënyrë praktike se si të dhënat personale mund të komprometohen përmes rrjeteve publike Wi-Fi.
Prezantimi ofroi një kuptim të qartë dhe konkret mbi rreziqet reale të sulmeve kibernetike, format më të zakonshme të tyre, si dhe metodat efektive të mbrojtjes që çdo përdorues dhe institucion duhet t’i marrë parasysh.
Në këtë garë morën pjesë studentë të shkëlqyer nga universitete dhe fakultete me renome si FINKI, UEJL, si dhe nga universitete të tjera të vendit, të cilët u vlerësuan nga komisioni profesional i udhëhequr nga Prof. Dr. Ivan Chorbev, ish dekan i FINKI-t, që e bën këtë sukses edhe më domethënës për Universitetin e Tetovës. Ekipi fitues, do të ketë mundësinë të ndjek akademinë kibernetike pa pagesë dhe do të vazhdojë garat në nivele evropiane.
Kjo arritje dëshmon përkushtimin, cilësinë akademike dhe potencialin inovativ të profesorëve dhe studentëve tanë.

