Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka pritur në takim ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ku është theksuar se rajoni në tërësi pa vonesa të mëtejshme duhet të integrohet në Bashkimin Evropian (BE).

Siç njofton kabineti i presidentes, Siljanovska-Davkova përshëndeti progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke theksuar se në kontekstin aktual gjeopolitik përparimi i çdo vendi ka efekt pozitiv mbi dinamikën rajonale të integrimit evropian.

Presidentja Siljanovska-Davkova rikujtoi se, pas 20 vitesh status kandidati, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut po shndërrohet në një maratonë rraskapitëse, me shtyrje të vazhdueshme të qëllimit.


Ajo theksoi se kriteret e Kopenhagës duhet të jenë kushtet e vetme për anëtarësim dhe se bilateralizimi krijon një precedent të rrezikshëm, duke mundësuar bllokimin e rrugës evropiane edhe për vende të tjera kandidate.

Ministrja Spiropali, nga ana e saj, shprehu mbështetje të fuqishme për integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe siguroi se vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë qëllime dhe vlera identike dhe duhet të ecin së bashku drejt familjes evropiane.

Sipas kabinetit të presidentes, në takim është rënë dakord se bashkëpunimi rajonal është kyç për stabilitetin, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe lidhjen infrastrukturore, si dhe veçanërisht për proceset reformuese të domosdoshme për anëtarësimin në BE.

Po ashtu në takim u theksua se në memorandumin trilateral të nënshkruar mes Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Shqipërisë, identifikohet një kornizë kohore dhe dinamikë e qartë për realizimin e aktiviteteve që lidhen me Korridorin 8.

Vendosja e sistemit me një ndalesë “One Stop Shop,” në të gjitha pikat kufitare mes dy vendeve u vlerësua se do të kontribuojë në kontroll të shpejtë të përbashkët dhe në forcimin e bashkëpunimit reciprok.

Bashkëbisedueset theksuan nevojën për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik dhe u angazhuan për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer në NATO.

Po ashtu u theksua se respektimi i të drejtave të komuniteteve pakicë përbën një vlerë të shtuar për marrëdhëniet miqësore maqedonase-shqiptare.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com