Aleanca për Shqiptarët ka nisur zyrtarisht procesin e rindërtimit, konsolidimit dhe funksionalizimit të degëve dhe nën-degëve të partisë, në prag të mbajtjes së Kongresit të rregullt partiak informon Tetovasot.
Në komunikatën për opinionin publik, krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Ziadin Sela, bën të ditur se vendimi është marrë në bazë të vendimit të Komisionit Qendror për Organizimin e Kongresit, me qëllim forcimin e strukturave partiake dhe përfaqësimin real të vullnetit të anëtarësisë në Kongres.
Sipas njoftimit, i gjithë procesi do të zhvillohet mbi parimet e transparencës, gjithëpërfshirjes, unitetit politik dhe përgjegjësisë, duke u cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të Aleancës për Shqiptarët në skenën politike raporton TS.
“Ky proces synon të forcojë Aleancën për Shqiptarët duke përfshirë të gjithë ata që duan të angazhohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e partisë”, thuhet në komunikatë.
Nga Aleanca për Shqiptarët u bëhet thirrje qytetarëve, aktivistëve, anëtarëve dhe simpatizantëve që ndajnë vlerat dhe vizionin e partisë, që të përfshihen aktivisht në këtë proces organizativ dhe politik.
Në fund të komunikatës theksohet se një Aleancë për Shqiptarët e fuqishme nënkupton përfaqësim më dinjitoz dhe më efektiv të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe në proceset vendimmarrëse.
Komunikata është publikuar më 09.01.2026 nga Komisioni Qendror për Organizimin e Kongresit – Aleanca për Shqiptarët (krahu i ASH Ziadin Sela).TS