Ministria e Shëndetësisë ka publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (REKRr/ENER) propozim-ligjin e ri për mbrojtje nga duhani, duke hapur debatin publik ku mund të marrin pjesë qytetarët dhe organizatat e interesuara, para miratimit përfundimtar të tij.

Siç raporton Tetovasot, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka theksuar se ky ligj trajton një çështje thelbësore për shëndetin publik, veçanërisht për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.

“Faktet janë të qarta – duhani dhe nikotina janë shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme, ndërsa produktet e reja të nikotinës dhe marketingu agresiv janë të drejtuara pikërisht ndaj të rinjve. Qëllimi i këtij ligji nuk është ndëshkimi, por parandalimi dhe mbrojtja e shëndetit publik”, ka deklaruar Aliu, citon Tetovasot.

Sipas projektligjit, personat që kapen duke pirë duhan në vende ku kjo është e ndaluar do të gjobiten me 100 euro, nëse gjoba paguhet menjëherë. Nëse pagesa bëhet brenda 8 ditëve, gjoba rritet nga 150 deri në 300 euro, ndërsa me vendim gjyqësor ajo mund të jetë tri herë më e lartë. Si alternativë ndaj pagesës, parashihet edhe punë e dobishme për komunitetin.

Për personat juridikë, varësisht nga madhësia e kompanisë, gjobat do të jenë nga 2.000 deri në 5.000 euro, raporton Tetovasot.

Ligji, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 mars, ndalon përdorimin e të gjitha llojeve të cigareve, përfshirë edhe ato elektronike me duhan dhe nikotinë, në objektet e gastronomisë, kazinotë, bastoret sportive, institucionet shtetërore, kompanitë private, aeroportet, stacionet e autobusëve dhe hekurudhave.

Po ashtu, ndalohet pirja e duhanit në stacione autobusi gjatë pritjes, në hapësirat e përbashkëta të banesave, si dhe para institucioneve shtetërore, spitaleve, çerdheve, shkollave dhe konvikteve studentore. Në dyqane, cigaret nuk do të guxojnë të jenë të ekspozuara, por do të shiten vetëm sipas listës, ndërsa reklamat dhe promovimi i tyre ndalohen në televizion, internet dhe podcast-e.

Policia, sipas projektligjit, do të ketë të drejtë të shqiptojë gjobë edhe për pirje duhani në automjet, nëse brenda ndodhet një fëmijë i mitur.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com