Kryetari i partisë Levica, Dimitar Apasiev, po merr pjesë për herë të parë në një takim të liderëve politikë, të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski. Apasiev deklaroi se Levica mbështet idenë për shfuqizimin e qeverisë teknike, e cila ka dalë nga Marrëveshja e Përzhinës informon Tetovasot.

Sipas tij, pjesëmarrja e Levicës në takim është në përputhje me kërkesat e mëhershme të partisë, që takime të tilla të zhvillohen vetëm në kuadër të institucioneve shtetërore.

“Kjo i plotëson kërkesat tona të mëparshme. Ne kemi thënë se do të marrim pjesë në takim të liderëve vetëm nëse ai mbahet në suaza institucionale, e jo në hotele në Mavrovë apo në ambasada të Evropës ose Amerikës”, tha Apasiev.

Ai shtoi se Levica ka kërkesa të qarta edhe në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat, sipas tij, janë të domosdoshme për zgjedhjet e ardhshme.

“Ndryshimi i Kodit Zgjedhor është i pakalueshëm për zgjedhjet e ardhshme, sepse Levica është partia e vetme e censuruar në këto 35 vite pluralizëm”, theksoi Apasiev.

Po ashtu, ai paralajmëroi se në takim do të parashtrohen edhe kërkesa ekonomike që lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e sindikatave.

“Në këtë drejtim kemi edhe kërkesa ekonomike, të cilat do t’i paraqesim brenda takimit”, përfundoi Apasiev.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com