Shteti, në pesë vitet e ardhshme duke filluar nga viti aktual, do të duhet të kthejë rreth 8,8 miliardë euro, aq sa është shuma totale e detyrimeve për shlyerjen e borxheve që maturojnë në këtë periudhë.

Këtë e bëri të ditur sot, mes tjerash, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila në një konferencë për media informoi për detajet e asaj që e quajti një ankand të suksesshëm të euroobligacionit të mbajtur dje. Euroobligacioni është i ndarë në dy transhe nga 500 milionë euro, njëra me afat maturimi katër vjet, ndërsa tjetra tetë vjet.

Sipas ministres, emetimi i këtij euroobligacioni është plotësisht i planifikuar dhe i projektuar në Buxhetin për vitin 2026, si dhe në Strategjinë e rishikuar për menaxhimin e borxhit publik.
“Kjo do të thotë se, edhe pse shuma nominale e huamarrjes në vitin 2026 është një miliard euro, Ministria e Financave do të kryejë pagesa vetëm për borxhin e jashtëm në vlerë rreth 893 milionë euro. Kështu, efekti mbi borxhin publik është dukshëm më i ulët dhe plotësisht i harmonizuar me kornizën fiskale afatmesme”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Ajo sqaroi edhe dinamikën e maturimit të detyrimeve nga huamarrjet e mëparshme të shtetit. Në vitin 2026, detyrimet arrijnë në 1 miliard e 563 milionë euro, plus obligacionet e tregut të brendshëm me afat njëvjeçar. Në vitin 2027 ato do të jenë 1 miliard e 579 milionë euro, në 2028 – 1 miliard e 971 milionë euro, në 2029 – 1 miliard e 304 milionë euro, ndërsa në 2030 – 1 miliard e 414 milionë euro. Pra, për pesë vjet, pa përfshirë letrat shtetërore me afat 12-mujor, shuma totale e detyrimeve që maturojnë arrin në 8 miliardë e 804 milionë euro.

Ministrja theksoi se një nga qëllimet e emetimit të euroobligacionit të fundit dhe afateve të maturimit të transheve është shpërndarja më e barabartë e detyrimeve në kohë dhe ulja e rreziqeve nga përqendrimi i pagesave në vite të caktuara.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve pse rezulton se në pesë vitet e ardhshme shteti duhet të kthejë rreth dy miliardë euro më shumë krahasuar me projeksionet e mëparshme, Dimitrieska-Koçoska u ndal te afati mesatar i portofolit të borxhit shtetëror, i cili sipas saj, për fat të keq është rreth tre vjet. Ajo theksoi se kjo është pasojë e afateve të shkurtra të obligacioneve të emetuara në vitet e kaluara.

“Nëse i shohim afatet e euroobligacioneve në vitet e fundit, ato kanë qenë kryesisht afate të shkurtra, me qëllim që të ngarkohej qeveria e ardhshme. Kështu, mua më ka rënë barra që çdo vit të përballem me detyrime të mëdha për shërbimin e borxhit. Mesatarja prej rreth tre vitesh është shqetësuese krahasuar me atë që konsiderohet normale në vendet e Bashkimit Evropian. Ne duhet të ndërtojmë strategjinë tonë se si duhet të duket struktura e maturimit të borxhit publik”, deklaroi ministrja.

Ajo shtoi se pikërisht për këtë arsye është vendosur që njëra transhe e euroobligacionit të ketë afat tetëvjeçar, për të ndryshuar gradualisht strukturën e maturimit të borxhit publik.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com