Mbështetje për Ligjin e ri për mbrojtje nga duhanpirja – Mbrojtje e shëndetit dhe e të drejtave të punëtorëve në Maqedoninë e Veriut
Shkup, 15 janar 2026 – Instituti i Mjekësisë së Punës i RMV-së, Qendër Bashkëpunuese e OBSH-së, si institucion udhëheqës në fushën e shëndetit publik, ka shprehur mbështetje të plotë dhe të qartë për Projektligjin për mbrojtje nga duhanpirja informon Tetovasot.
Sipas Institutit, ligji i propozuar, i cili parasheh ndalim të plotë të pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat e mbyllura publike dhe të punës, nuk përbën masë ndëshkuese, por standard bazë shëndetësor dhe të drejtë themelore të njeriut. Çdo punëtor ka të drejtë të pacenueshme për ajër të pastër dhe vend pune që nuk rrezikon shëndetin e tij afatgjatë.
Nga Instituti theksojnë se punëtorët në sektorin e gastronomisë janë ndër grupet më të cenueshme. Ata shpesh ekspozohen ndaj përqendrimeve të larta të tymit të duhanit gjatë gjithë orarit të punës, i cili shpesh tejkalon 8 orë në ditë. Për këta punëtorë, pirja pasive e duhanit nuk është zgjedhje, por rrezik serioz shëndetësor që buron drejtpërdrejt nga vendi i punës.
“Provat shkencore janë të qarta: nuk ekziston nivel i sigurt i ekspozimit ndaj tymit apo aerosoleve nga produktet e duhanit dhe nikotinës. Pirja pasive është shkak i dëshmuar i sëmundjeve serioze respiratore dhe kardiovaskulare, përfshirë edhe kancerin e mushkërive, madje edhe te joduhanpirësit”, theksojnë nga Instituti.
Si institucion shëndetësor publik, ata vlerësojnë se është detyrim që asnjë person të mos jetë “dëm kolateral” i zakoneve të të tjerëve gjatë kryerjes së detyrave profesionale.
Në këtë drejtim, Instituti u bën thirrje:
punëdhënësve, veçanërisht në gastronomi, ta mbështesin zbatimin e ligjit si masë sigurie në punë dhe jo si ndëshkim;
punëtorëve ta njohin të drejtën për ajër të pastër si pjesë përbërëse të së drejtës për vend pune të sigurt;
organeve inspektuese dhe institucioneve kompetente të sigurojnë zbatim konsekuent të ligjit.
Sipas Institutit, zbatimi i këtyre masave jo vetëm që mbron individët, por edhe forcon ekonominë përmes uljes së pushimeve mjekësore dhe rritjes së jetëgjatësisë së fuqisë punëtore.
“Instituti i Mjekësisë së Punës i RMV-së qëndron fuqishëm pas këtij ligji. Shëndeti publik dhe siguria e punëtorëve duhet gjithmonë të kenë përparësi ndaj interesave komerciale”, thuhet në reagim, duke u bërë thirrje të gjithë akterëve për mbështetje të kësaj tranzicioni drejt një ambienti pune më të pastër, më të shëndetshëm dhe më produktiv.