Funksionari i lartë i Lëvizjes Demokratike, Muhamet Ameti, ka reaguar përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ku ka kritikuar ashpër një figurë politike të paemërtuar, duke e cilësuar si “person me tre fytyra”.
Në shkrimin e tij me titull “Tre herët e Fytyrakut”, Ameti nuk ka potencuar se për kë bëhet fjalë, por thekson se personi në fjalë ka ndryshuar qëndrimet e tij politike në tre periudha të ndryshme.
Sipas Ametit, në paraqitjen e parë publike, ky politikan është shfaqur si “shpëtimtar”, me premtime për drejtësi, reforma dhe moral, por pa mbështetje konkrete në veprime. Në fazën e dytë, brenda Lëvizjes Demokratike, ai sipas shkrimit ka braktisur idealet fillestare dhe ka vepruar mbi baza kalkulimesh politike, duke favorizuar disa dhe duke përjashtuar të tjerët.
Në fazën e tretë, brenda koalicionit VLEN, Ameti shkruan se i njëjti person është paraqitur si “moralist”, duke folur për unitet, vlera kombëtare dhe parime në publik, ndërsa në prapaskenë, sipas tij, janë zhvilluar pazare politike dhe kërkesa për pozita.
“Personi nuk ka tre fytyra, por vetëm një fytyrën e interesit, e cila ndryshon sipas kamerës”, shkruan Ameti në përfundim të reagimit të tij.
Ja teksti i plotē:
Tre herët e Fytyrakut
N’shtetin ton të vogël politik, Fytyraku u bo i famshëm për ni talent të rrallë kishte ma shumë fytyra se filtërat e Instagramit. S’po dijshim a me i besu, a me qeshë, a me ikë.
Herën e parë, n’grupin e zjarrit, u paraqit si shpëtimtar.
Foli me fjalë të buta e premtime që veç ai e Zoti i dinin prej ka i nxirrte.
“Ka me bo drejtësi… ka me bo reforma… ka me bo moral…”
Qysh bre vlla? Me çka? Me fjalë të bukra a me ndonjë magji?
Ne të mirë e të butë i thamë: “Hajde, punoj!”
Herën e dytë, te Lëvizja Demokratike, Fytyraku u transformu në llogaritës.
Idealët e para? I çoi në raft të pluhnosun.
Tash punonte me kalkulator:
kush i duhet afër,
kush i pengon larg,
kush i shkon mrapa shpërblim,
kush nuk përkulet me buzëqeshje e përjashtim.
Ne që punuam?
Mbetëm me një “faleminderit shumë”… edhe aq.
Herën e tretë, në VLEN, Fytyraku dul si moralist i kombit.
Në TV me ton të butë, sikur me qenë hoxhë e prift bashkë
“Unitet… vlera… komb… parime…”
Ani, ani… lexoje si recitim.
Ekrani zbardhte prej fjalëve të shpirtnore,
mbrapa skene nxinte prej pazareve.
Në publik fliste për sakrificë,
në prapaskenë kërkonte kolltuk që as në katalog se gjen.
Edhe në fund kuptuam:
Fytyraku ska tre fytyra.
Ka veç një fëtyrën e interesit
veç që ndërron kapuçin sipas kamerës.