Refet Rizvani përballet me varfëri të skajshme dhe probleme serioze shëndetësore, kërkon vetëm pagesën e qirasë
Urim HASIPI
Tetovë, 16 janar – Refet Rizvani, 58 vjeç, jeton i vetëm dhe pa asnjë përkrahje familjare. I lindur dhe rritur në fshatin Gjurgjevishtë të Gostivarit, sot ai përballet me varfëri të skajshme në Tetovë, ku jeton me qira në dalje të qytetit drejt Gostivarit.
Pa prindër, pa vëllezër dhe pa asnjë anëtar familjeje, Refeti kalon pjesën më të madhe të ditës duke bredhur rrugëve për të kërkuar lëmoshë. Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ai është i paaftë për punë. Aktualisht merr një ndihmë sociale prej 5.200 denarësh, ndërsa qiraja mujore e banesës ku jeton është 120 euro, shumë që nuk arrin ta përballojë. Ndonëse është vetëm 58 vjeç, pamja e tij tregon një jetë të rëndë dhe plot vuajtje. “Kam mbetur vetëm. Nuk kam shtëpi, nuk kam rrymë, nuk kam askënd. Babë nuk kam, nënë nuk kam, vëlla nuk kam. Jetoj këtu me qira dhe kërkoj vetëm që dikush të më ndihmojë ta paguaj qiranë. Për ushqim gjej zgjidhje”, rrëfen Refeti.
Përveç varfërisë, ai përballet edhe me probleme serioze shëndetësore. Është operuar tri herë – në Gostivar, Tetovë dhe Shkup, por gjendja e tij mbetet e rënduar. “Kam probleme me stomakun dhe me këmbët. Nuk jam mirë dhe nuk mund të punoj. Ndihma që marr mezi mjafton vetëm për qiranë, prandaj po kërkoj ndihmë”, apelon ai.
Prej dy vitesh, për Refetin kujdeset Nadi Berisha, banor i Tetovës, i cili e ka njohur atë më herët në tregun e Gostivarit dhe i ka ofruar ndihmë sipas mundësive. Ai thotë se vazhdon të kujdeset për gjendjen shëndetësore të Refetit, por nuk ka mundësi financiare t’i paguajë qiranë.
“E ndihmoj prej dy vitesh. E kam njohur në Gostivar, aty ku punoj në treg. E kam parë gjendjen e tij dhe e kam ndihmuar sa kam mundur, por edhe unë jam pa punë të rregullt. Do të ishte mirë që të paktën dikush t’ia paguajë qiranë. Për ushqim njerëzit i japin diçka, sepse del dhe kërkon lëmoshë. Edhe të afërmit e mi e kanë ndihmuar, sidomos gjatë muajit të Ramazanit”, thotë Berisha.
Të gjithë ata që kanë mundësi dhe dëshirë për ta ndihmuar Refet Rizvanin, mund ta kontaktojnë drejtpërdrejt në numrin e telefonit: 070 948 483. (koha.mk)