Reagon avokatja e Dejan Jovanov – Deko: Imazhi im është keqpërdorur dhe fotoshopuar në formë absurde
Në Koçan, sot u mbajt “Marshi për engjëjt”, ku prindërit dhe të afërmit e viktimave, në rreshtin e parë, mbanin një pankartë me imazhin e avokates Ivana Kocevska.
Ajo është mbrojtësja e të akuzuarit të parë në procesin “Puls”, pronarit Dejan Jovanov – Deko.
Më poshtë është reagimi i avokates Kocevska:
“Si mbrojtëse e një pjese të të akuzuarve në çështjen penale që lidhet me ngjarjen tragjike në Koçanë, deri tani jam përmbajtur nga çdo reagim apo sulm, në shenjë empatie dhe solidariteti me dhimbjen e prindërve të të ndjerëve. Megjithatë, pasi u shpreh publikisht revoltë ndaj procedurës penale që unë kam ngritur lidhur me aktin e vandalizmit të ndodhur më 17.03.2025 nga persona të panjohur, të cilët prindërit i justifikojnë, por që sipas ligjit janë subjekt i përgjegjësisë penale, nuk kam më hapësirë të përmbahem.
Konkretisht, prindërit i kanë lejuar vetes të organizojnë një protestë, gjatë së cilës imazhi im është keqpërdorur dhe fotoshopuar në një formë absurde, e cila jo vetëm që cenon reputacionin tim personal, por dëmton edhe dinjitetin e çdo avokati. Për këtë arsye, apeloj që të reagojnë të gjitha institucionet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbrojtje të detyrës sonë profesionale, por mbi të gjitha në drejtim të mbrojtjes së integritetit dhe dinjitetit tonë si bartës të mbrojtjes juridike dhe të sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e avokates Kocevska.