Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pranuar publikisht se në qytet nuk do të ndërtohen parkingjet me kate, projekt që ishte premtuar më herët si zgjidhje për problemin e parkimit.

Gjatë një seance të Këshillit Komunal, u bë e ditur gjithashtu se me kërkesë të Komunës së Tetovës do të implementohet projekti “Safe City”. Ky projekt po kritikohet nga opozita si diskriminues, me arsyetimin se nuk zbatohet në të gjithë territorin e shtetit, por vetëm në komuna të caktuara, përcjell TS.

Këshilltari i “Më Mirë për Tetovën” ka reaguar duke theksuar paradoksin në deklaratat e kryetarit. Sipas tij, ndonëse Kasami pretendon se Tetova ka vende të mjaftueshme parkimi, terrenet sportive të shkollave vazhdojnë të shfrytëzohen për parkimin e automjeteve.

“Ose Tetova ka mjaftueshëm parkingje, ose fëmijët vazhdojnë të humbasin hapësirat sportive – të dyja nuk qëndrojnë”, ka deklaruar këshilltari, duke kërkuar përgjegjësi dhe zgjidhje konkrete nga udhëheqja komunale.

Debati rreth parkimit dhe projekteve infrastrukturore mbetet një nga çështjet më të diskutuara në Tetovë, veçanërisht në mungesë të realizimit të premtimeve zgjedhore./TS/

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com