Çdoherë kemi besuar se e ardhmja ekonomike e Maqedonisë së Veriut ndërtohet përmes partneriteteve të forta, besimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit me shtete që përfaqësojnë stabilitet, zhvillim dhe standarde të larta. Takimi i Ministrit të Ekonomisë dhe Punës me Ambasadorin e Konfederatës Zvicerane, SH.T. z. Kristof Zomer, është një hap domethënës drejt një vizioni ekonomik që krijon mundësi reale, vende pune cilësore dhe perspektivë afatgjatë për qytetarët.
Në këtë takim, theksi u vu në rritjen e shkëmbimit tregtar, nxitjen e investimeve direkte zvicerane dhe forcimin e bashkëpunimit në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. VLEN e konsideron këtë qasje si dëshmi të qartë të angazhimit për një ekonomi më të fortë, më konkurruese dhe të orientuar drejt së ardhmes. U theksua se, pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës, ekziston potencial i madh i pashfrytëzuar për bashkëpunim më intensiv ekonomik, veçanërisht në sektorët e prodhimit, industrisë, inovacioneve dhe ekonomisë së gjelbër. Në këtë drejtim, u nënvizua rëndësia e promovimit të klimës së favorshme të biznesit dhe mundësitë konkrete që ofrojnë zonat zhvillimore teknologjike-industriale në vend.
Vlerësojmë rolin e Zvicrës si një nga donatorët më të rëndësishëm dypalësh, e cila në mënyrë të vazhdueshme mbështet proceset reformuese, qeverisjen demokratike, mbrojtjen e mjedisit jetësor, energjetikën, furnizimin me ujë dhe zhvillimin ekonomik. Veçanërisht vlerësohet realizimi i suksesshëm i programeve zhvillimore zvicerane që synojnë rritjen e punësimit, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe zhvillimin e bujqësisë organike.
Në takim u shqyrtuan edhe mundësitë për organizimin e forumeve të përbashkëta të biznesit, forcimin e lidhjeve institucionale dhe ekonomike, si dhe promovimin e mëtejshëm të produkteve eksportuese maqedonase dhe potencialeve turistike në tregun zviceran.
VLEN riafirmon përkushtimin e saj për forcimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare dhe mbështet çdo iniciativë që kontribuon në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.