Më 29.04.2026, Njësia për Punë të Brendshme në Gjorçe Petrov, në kuadër të SPB Shkup, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër katër të miturave (një 17-vjeçare dhe tri 14-vjeçare), të gjitha nga Shkupi, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprën penale “dhunë”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 386 të Kodit Penal informon Tetovasot.
Sipas informacioneve zyrtare, në dy raste të ndara, më 27.03.2026 dhe 30.03.2026, të miturat kanë sulmuar fizikisht një vajzë 13-vjeçare. Ngjarjet janë regjistruar me video dhe fotografi, të cilat më pas janë publikuar në rrjete sociale.
Kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike Shkup dhe rasti po trajtohet në përputhje me Ligjin për drejtësi për fëmijët.
Po ashtu, është paralajmëruar se gjatë ditës së nesërme (05.05.2026), SPB Shkup do të paraqesë kallëzim penal edhe ndaj prindërve të të miturave të përfshira në këtë rast.TS