Një akademi e mbushur me fjalë, kujtime dhe mirënjohje…
Shkruan: Behare Neziri
Uikendi i fundit i majit të vitit 2026 në Tetovë, u mbajt Akademia Jubileu kushtuar 40-vjetorit të veprimtarisë krijuese, arsimore dhe kulturore të poetes, shkrimtares, gazetares, profesoreshës dhe humanistes Sadije Aliti.
Aktiviteti u organizua nën patronatin e Komunës së Tearcës dhe mblodhi personalitete të shumta nga jeta kulturore, akademike dhe institucionale nga të gjitha trevat shqiptare. Gjatë akademisë u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i autores në letërsinë shqipe, gazetari, arsim dhe promovimin e vlerave kombëtare e njerëzore.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, vlerësoi lartë figurën dhe veprën e Sadije Alitit, duke theksuar se personalitete të tilla janë pasuria më e çmuar shpirtërore e një kombi. Ai nënvizoi se katër dekada krijimtari, edukim dhe angazhim kulturor përbëjnë një trashëgimi të vyer për brezat që vijnë dhe një krenari të veçantë për Tearcën dhe mbarë hapësirën shqiptare. Kryetari Memishi ritheksoi përkushtimin e Komunës së Tearcës për të mbështetur kulturën, artin dhe krijuesit që me veprën e tyre lartësojnë identitetin tonë kombëtar, duke shprehur mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm që Sadije Aliti ka dhënë ndër vite në fushën e letërsisë, arsimit dhe humanizmit.
“Kur nderojmë krijuesit tanë, nderojmë kujtesën, gjuhën dhe shpirtin e popullit tonë”, ishte mesazhi që përshkoi përshëndetjen e tij, duke i dhënë akademisë një dimension të veçantë respekti dhe mirënjohjeje.
Në vlerësimin e tij, prof.dr. Salajdin Salihu ndaloi te rrugëtimi i gjatë krijues dhe shoqëror i Sadije Alitit, duke theksuar se ajo i përket atij brezi intelektualësh që, me përkushtim, guxim dhe vizion, kontribuan në ndryshimin e rrjedhave të shoqërisë shqiptare. Ai nënvizoi se Sadije Aliti nuk ishte vetëm dëshmitare e kohës së saj, por edhe pjesëmarrëse aktive në proceset që formësuan vetëdijen kulturore, arsimore dhe kombëtare të shqiptarëve. Sipas tij, brezi të cilit i përket Sadija ishte një brez që besoi te fuqia e dijes, e fjalës së shkruar dhe e angazhimit qytetar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën shoqërore dhe kulturore shqiptare.
Duke vlerësuar veprën e saj letrare dhe angazhimin shumëvjeçar në arsim, kulturë dhe publicistikë, prof. Salihu theksoi se Sadije Aliti mbetet një nga ato figura që me punën e tyre nuk ndriçojnë vetëm kohën në të cilën jetojnë, por bëhen udhërrëfyese edhe për brezat që vijnë.
Ishte një akademi ku poezia takoi kujtesën, ku fjala artistike u bë urë mes brezave dhe ku katër dekada përkushtimi ndaj gjuhës, kulturës dhe njeriut morën nderimin e merituar. Në praninë e mysafirëve, krijuesve, studiuesve dhe dashamirëve të artit nga mbarë hapësira shqiptare, u kujtua dhe u vlerësua rrugëtimi i një gruaje që jetën e saj e ka shndërruar në mision për dijen, letërsinë dhe humanizmin.
Programi përfshiu video-prezantimin e çmimeve dhe mirënjohjeve të autores, leximin e biografisë së saj, fjalë përshëndetëse nga përfaqësues institucionalë dhe vlerësime nga emra të njohur të letrave shqipe, ndërsa publiku pati mundësinë të shijojë edhe një recital poetik dhe pika artistike e muzikore të përgatitura enkas për këtë jubilee, si dhe promovimi i videoklipit të këngës ,,Mi shkele, mi shkele’’ interpretuar nga Vllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu, poezi e shkruar nga Sadije Aliti, e nxitur dhe inspiruar nga motivet e këngës popullore të dashurisë të rrethinës ë Pollogut.
Një moment i veçantë ishte promovimi i librit më të ri të autores, “Ma qëndis vargun dashuri”, një vepër që përmbledh poezinë e saj të përkthyer në 21 gjuhë, duke dëshmuar shtrirjen dhe jehonën ndërkombëtare të krijimtarisë së saj.
Përmes fjalëve vlerësuese, recitalit poetik, muzikës dhe promovimit të veprës më të re “Ma qëndis vargun dashuri”, u dëshmua se krijimtaria e Sadije Alitit nuk është vetëm një trashëgimi letrare, por edhe një testament dashurie për gjuhën shqipe dhe vlerat njerëzore.
Katër dekada punë, në dy shekuj, përkushtim dhe dashuri ndaj fjalës së shkruar e kanë bërë Sadije Alitin një nga figurat më të respektuara të kulturës shqiptare, ndërsa kjo akademi shërbeu si një homazh i merituar për rrugëtimin e saj të pasur krijues dhe njerëzor
Tetova, qyteti i kulturës dhe fjalës së bukur, u bë si shtëpia e një jubileu të rrallë, ku duartrokitjet nuk ishin vetëm për një autore, por për një jetë të tërë të kushtuar artit, arsimit dhe identitetit tonë kombëtar.
Një mbrëmje që do të mbetet gjatë në kujtesë, ashtu siç do të mbeten vargjet dhe vepra e Sadije Alitit në fondin e çmuar të kulturës shqiptare.




