Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha të martën se marrëveshja e përkohshme për t’i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kërkon që Izraeli të tërhiqet nga Libani — një kusht që Izraeli tashmë e ka refuzuar dhe mund ta fundosë marrëveshjen, duke çuar në rifillimin e luftës së plotë, raporton agjencia “AP”.
Marrëveshja ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, nuk është bërë publike dhe zyrtarët ndonjëherë kanë ofruar interpretime kontradiktore për përmbajtjen e saj. Edhe pse Izraeli nuk është palë në marrëveshje, ai është pjesë e luftës. Iu bashkua SHBA-së në nisjen e sulmeve kundër Iranit më 28 shkurt dhe që atëherë ka luftuar grupin militant Hezbollah në Liban. Hezbollahu mbështetet nga Irani. Izraeli ka marrë nën kontrolle zona të mëdha të Libanit.
“Pa tërheqjen e forcave izraelite nga territoret që pushtuan gjatë kësaj lufte, lufta nuk ka përfunduar plotësisht”, tha Araghchi.
Një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti për elementet e marrëveshjes, tha se marrëveshja nuk parashikonte tërheqjen izraelite nga Libani. Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se Izraeli do të qëndrojë në Liban “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Negociatat për t’i dhënë fund luftës janë shoqëruar më parë nga mosmarrëveshje të tilla, duke çuar në një armëpushim të zgjatur, por të brishtë, që nuk ka arritur të shndërrohet në një fund të përhershëm të armiqësive dhe ka lënë Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike për furnizimet energjetike të botës, praktikisht të mbyllur.
Në zhvillime të tjera, Ministria e Jashtme e Zvicrës tha se ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes do të mbahet të premten në resortin Burgenstock pranë qytetit të Luzernit. Zyrtarët e Ministrisë thanë të martën se vendndodhja ishte propozuar nga ndërmjetësit e Pakistanit dhe Katarit, së bashku me SHBA-në dhe Iranin.
Pakistani, një ndërmjetës kyç, ka deklaruar se marrëveshja parashikonte përfundimin e operacioneve ushtarake, përfshirë në Liban, siç kishte këmbëngulur prej kohësh Irani. Por, kërkesa e Araghchit për një tërheqje izraelite shton një element të ri.
Kjo e vendos Izraelin përballë një dileme ndërsa përpiqet t’i dobësojë aftësitë ushtarake të Hezbollahut pa minuar një marrëveshje të promovuar nga aleati i tij më i rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara. Izraeli pushtoi Libanin jugor pasi Hezbollahu lëshoi raketa përtej kufirit gjatë javës së parë të luftës. Që atëherë, Izraeli ka zgjeruar praninë e tij ushtarake në nivele të papara prej dekadash dhe ka goditur objektiva thellë brenda Bejrutit.
Megjithëse Hezbollahu është dobësuar, ai ende ruan aftësinë për të goditur Izraelin, duke lënë të hapura pyetjet mbi efektivitetin e fushatës ushtarake izraelite.
Deri të martën në mbrëmje, Netanyahu nuk e kishte parë memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, tha një person i njohur me situatën.
Zyra e Netanyahut nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga agjencia “AP”.
Shkalla e sulmeve izraelite ka krijuar herë pas here një përçarje publike midis udhëheqësve izraelitë dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili u tha gazetarëve të martën se nuk ishte “i kënaqur me mënyrën se si Izraeli është sjellë në Liban dhe me Hezbollahun”.
“Vazhdon pafundësisht”, tha ai për strategjinë e Izraelit. Sulmet izraelite në Liban kanë vrarë pothuajse 4,000 persona, përfshirë qindra civilë, dhe kanë zhvendosur më shumë se 1 milion persona.
“Izraeli po lufton me Hezbollahun për shumë gjatë dhe po vriten shumë njerëz”, tha Trump.
Promoted Content
Trump tha se është i hapur për ta dërguar marrëveshjen në zhvillim në Kongresin amerikan për shqyrtim.
Duke folur në margjinat e samitit të G7 në Alpet franceze, Trump tha: “Më pëlqen ideja, ju lutem dërgojeni në Kongres. Dua të them, kush nuk do ta miratonte?”
Republikanët në Kongres thonë se duan që Trump të japë më shumë informacion mbi marrëveshjen, ndërsa disa shprehin skepticizëm se ajo mund ta pengojë Iranin ta ndjekë zhvillimin e armëve bërthamore.
Izraeli dhe Qeveria libaneze kanë hyrë në negociata të drejtpërdrejta të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, ku Hezbollahu nuk ka qenë pjesë. Këto bisedime kanë prodhuar disa armëpushime të shpallura, të cilat nuk janë zbatuar kurrë në terren. Zyrtarët libanezë fillimisht u përpoqën ta mbanin Libanin të ndarë nga negociatat SHBA-Iran, duke mos dashur të shiheshin si të varur nga Irani, por që atëherë kanë mirëpritur njoftimin se marrëveshja për t’i dhënë fund luftës SHBA-Iran do të përfshijë një armëpushim në Liban.
Komentet e fundit të Araghchit duket se përputhen me kuptimin e dy zyrtarëve rajonalë që kanë njohuri të drejtpërdrejta për marrëveshjen e përkohshme. Zyrtarët, duke folur për agjencinë “AP” në kushte anonimiteti thanë se marrëveshja do të kërkonte që Izraeli të largohej nga pothuajse të gjitha territoret që mban nën kontroll në Liban, me përjashtim të disa pikave kodrinore pranë kufirit të marra më herët.
Zyrtarët thonë se Irani këmbënguli që Libani të përfshihej në marrëveshje gjatë ditëve të fundit të negociatave.
Libani është vetëm një nga disa çështje të mëdha që qëndrojnë pezull mbi armëpushimin para nënshkrimit ceremonial të planifikuar.
Marrëveshja synon të sigurojë një armëpushim domethënës në një luftë shumëmujore që ka vrarë mijëra njerëz në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë drejtuesit kryesorë iranianë, dhe ka rritur çmimet e karburanteve, ushqimeve dhe mallrave të tjera bazë shumë përtej rajonit.
Marrëveshja parashikon hapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, sipas një zyrtari të lartë amerikan që foli në kushte anonimiteti.
Zyrtarët pakistanezë, që ndihmuan në ndërmjetësimin e marrëveshjes, përshkruan gjithashtu plane për heqjen e njëkohshme të mbylljes iraniane të Ngushticës dhe të bllokadës amerikane.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të fillojnë më pas 60 ditë negociata mbi programin bërthamor iranian dhe mundësinë e heqjes së sanksioneve, thanë zyrtarët pakistanezë që ndihmuan në ndërmjetësimin e marrëveshjes së përkohshme, duke folur në kushte anonimiteti pasi teksti i marrëveshjes ende nuk është publikuar.
Pakti përfshin gjithashtu mundësinë e lirimit të fondeve të ngrira të Iranit dhe krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për të ndihmuar rindërtimin e Iranit nëse Teherani përmbush disa kushte, u thanë gazetarëve të hënën zyrtarë të lartë amerikanë. Trump më vonë tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të “investonin” fonde në Iran.
Sa i përket afateve kohore, zyrtarët rajonalë që folën për AP thanë se lirimi i aseteve të ngrira iraniane do të lidhej me zbatimin e marrëveshjes nga Teherani. Ata shtuan se shtetet arabe të Gjirit kanë premtuar gjithashtu të injektojnë miliarda dollarë në ekonominë iraniane.
Programi bërthamor iranian, veçanërisht fati i rezervave të uraniumit të pasuruar në nivele të larta, do të jetë subjekt i afatit 60-ditor. Irani ka rënë dakord të diskutojë mënyra për ta “holluar ose larguar” atë, thanë zyrtarët. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Teherani do të pajtohet me këtë, veçanërisht për shkak të kundërshtimit të linjës së ashpër që nuk dëshiron ta dorëzojë atë.
Megjithatë, liderët botërorë të mbledhur në Francë për ditën e parë të plotë të samitit G7 këmbëngulën se marrëveshja duhet të ketë sukses, edhe pse mbeten shumë pyetje pa përgjigje.
Disa prej tyre ishin përplasur me Trumpin për faktin se nuk ishin konsultuar para fillimit të luftës. Por udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar lëshuan një deklaratë të përbashkët duke uruar Shtetet e Bashkuara, Qeverinë iraniane dhe ndërmjetësit për atë që e quajtën një “arritje diplomatike”, duke thënë se ishte jetike që marrëveshja të zbatohej shpejt.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca dhe vendet e tjera perëndimore ishin “të gatshme të ndërmarrin veprime shumë shpejt” për të ndihmuar në rihapjen paqësore të Ngushticës së Hormuzit.