Parlamenti Europian ka miratuar rezolutën mbi Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, duke ngritur shqetësime të forta për zhvillimet që po ndodhin në Zonën e Mbrojtur Vjosë–Nartë.
Në rezolutë kërkohet shfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat hapin rrugën për zhvillime turistike në shkallë të gjerë brenda këtyre zonave dhe dobësojnë mekanizmat e kontrollit dhe mbrojtjes mjedisore.
Po ashtu, Parlamenti Europian kërkon vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm për lejet e reja, ndërtimet dhe çdo ndërhyrje zhvillimore në zonat e mbrojtura, derisa legjislacioni shqiptar të harmonizohet plotësisht me standardet europiane për mbrojtjen e natyrës.
Rezoluta shpreh shqetësim edhe për procedurat e përshpejtuara të lejeve të parashikuara nga Ligji për Investimet Strategjike, të cilat mund të kufizojnë kontrollin dhe vlerësimin mjedisor në zona me rëndësi të veçantë ekologjike.
Ky është një mesazh i qartë dhe i drejtpërdrejtë nga institucionet europiane.
Tashmë, më shumë se kurrë, shtrohet nevoja për shfuqizimin e Ligjit 21/2024 dhe rikthimin e mbrojtjes së plotë ligjore për zonat e mbrojtura të Shqipërisë.