Shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Greqia dhe vende të tjera i janë bashkuar protestës së 21-të kundër qeverisë, duke e kthyer bulevardin e Tiranës në një det flamujsh kuqezi.

Pjesëmarrja e diasporës, e paralajmëruar prej ditësh, u materializua këtë mbrëmje me qindra emigrantë që udhëtuan me makina, avionë dhe autobusë për t’u bërë pjesë e asaj që shumë protestues e cilësuan si protesta më e madhe e zhvilluar deri më tani.

Një shqiptar i ardhur nga Shtetet e Bashkuara tha se ishte rikthyer pas tre dekadash për t’iu bashkuar protestës.

“Vij nga Amerika pas 30 vitesh. Edi Rama ka vetëm 24 orë, pastaj të iki të fshihet si minj halesh. Rroftë rinia, Shqipëria është e rinisë“, deklaroi ai.

Mes thirrjeve “Rama ik”, “Rama në burg” dhe “Shqipëri e Re”, protestuesit e ardhur nga diaspora e cilësuan mobilizimin e të rinjve si zhvillimin më të rëndësishëm të kësaj lëvizjeje.

“Kjo doli rinia më brilante e 35 viteve“, tha një tjetër protestues.

Sakrifica e emigrantëve për të qenë pjesë e protestës u reflektua edhe në dëshmitë e atyre që udhëtuan me dhjetëra orë për të mbërritur në Tiranë.

“Kam udhëtuar 48 orë për të qenë këtu sot. Më bëhet zemra mal kur ju shoh në shesh. Diaspora është ngritur njëzëri nga Londra, Gjermania, Italia, Greqia dhe kërkon largimin e Ramës“, tha një protestues tjetër.

Në ditën e 21-të të protestave, pjesëmarrja e diasporës është kthyer në një nga elementët më domethënës të lëvizjes, duke i dhënë tubimit të kësaj mbrëmjeje përmasa që shumë protestues i konsiderojnë të paprecedenta.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume