Koçiu për protestuesit nga Maqedonia e Kosova: Patriotizmi ndërton ura bashkëpunimi, jo ndasi mes shqiptarëve
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Albana Koçiu, ka reaguar lidhur me përfshirjen e protestuesve nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova në zhvillimet e fundit.
Ajo thekson se Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë shtete sovrane, por një hapësirë e përbashkët kujtese, gjuhe, kulture dhe identiteti, ku shqiptarët ndajnë lidhje të forta historike dhe shoqërore.
Koçiu shprehet se breza të tërë shqiptarësh kanë ëndërruar për një bashkëpunim mes vendeve që të mos kushtëzohet nga rrethanat politike, por të jetë një realitet i natyrshëm në shërbim të qytetarëve.
Sipas saj, në një kohë kur ka përpjekje për të krijuar ndasi, faktet tregojnë të kundërtën, duke përmendur marrëveshjen për unifikimin e procedurave të kontrollit kufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sipas modelit të bashkëpunimit që zbatohet edhe me Kosovën.
Marrëveshja parashikon një kontroll të vetëm dhe të përbashkët kufitar, me një ndalesë dhe një procedurë të vetme, duke e bërë kalimin më të shpejtë, më të lehtë dhe më efikas për qytetarët.
Duke iu referuar protestave ku janë përfshirë edhe bashkëkombas nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, Koçiu thekson se duhet bërë dallim i qartë mes ndjenjës kombëtare dhe përdorimit të saj politik.
“Patriotizmi i vërtetë nuk matet me zell të verbër politik, por me aftësinë për të bashkuar e ndërtuar. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë më të forta së bashku. Rruga e vetme që u shërben shqiptarëve është ajo drejt Bashkimit Europian, çdo gjë tjetër vetëm na përçan dhe na dobëson,” u shpreh ajo.