Shkup, 25 qershor 2026 – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, deklaroi se Akademia për aftësim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e funksionimit të saj informon Tetovasot.
Në tryezën e rrumbullakët me temë “Sfidat e ardhshme për themelimin dhe funksionimin e suksesshëm të Akademisë për aftësim profesional të nëpunësve administrativë”, u prezantuan rezultatet e aktiviteteve të deritanishme, modelet e propozuara organizative dhe programet e trajnimit që do të zbatohen në kuadër të institucionit të ri.
Ngjarja u organizua në kuadër të projektit për mbështetjen e themelimit të Akademisë, të cilin Ministria e Administratës Publike e realizon në bashkëpunim me Qendrën për Menaxhimin e Ndryshimeve dhe me mbështetjen e Ambasadës së Francës.
Minçev theksoi se pas miratimit të Ligjit për aftësim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativë, ministria ka hyrë në një fazë të re, që synon krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për funksionimin e Akademisë si institucion qendror për zhvillimin profesional të administratës publike.
“Qëllimi ynë është që nga viti i ardhshëm të nisë zbatimi i plotë i ligjit, ndërsa Akademia të bëhet qendra kryesore ku nëpunësit administrativë do të avancojnë njohuritë, aftësitë dhe kompetencat e tyre. Jam i bindur se do të krijojmë një institucion që do të jetë shembull i profesionalizmit, cilësisë dhe qëndrueshmërisë”, deklaroi ministri.
Sipas tij, Akademia do të jetë një nga shtyllat kryesore të reformës në administratën publike, duke kontribuar në ndërtimin e institucioneve më efikase dhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.Tetovasot



