Vizitorët e disa prej atraksioneve më të famshme turistike të Francës po përballen me ndërprerje, pasi temperaturat ekstreme kanë detyruar Kullën e Ajfelit dhe Muzeun e Louvreit të mbyllen më herët se zakonisht.

Këto mbyllje vijnë në një kohë kur Franca ka regjistruar ditën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve kombëtare, me temperatura mesatare që arritën në 29.8 gradë celsius dhe me shumë qytete që kaluan 40 grade celisus.

Kulla e Ajfelit u mbyll në orën 16:00, në vend që të qëndronte e hapur deri pas mesnate. Vizitorëve me bileta për oraret e prekura u është ofruar rimbursim. Muzeu Louvre ka njoftuar gjithashtu se do të mbyllet dy orë më herët se zakonisht deri në fund të javës, pasi temperaturat e larta po grumbullohen brenda ndërtesave historike të pallatit.

Edhe disa atraksione të tjera kanë ndryshuar funksionimin për shkak të vapës. Qasja e publikut në Arc de Triomphe është kufizuar, ekspozitat në Palais de Tokyo janë pezulluar përkohësisht dhe disa atraksione në natyrë në Disneyland Paris janë mbyllur si masë paraprake.

Vala e të nxehtit po shkakton gjithashtu ndërprerje më të gjera në të gjithë Francën, duke ndikuar në rrjetet e transportit, shkollat dhe aktivitetet publike gjatë një prej periudhave më të ngarkuara të sezonit turistik. Pasagjerëve të trenave janë këshilluar të kontrollojnë paraprakisht për vonesa ose ndryshime në udhëtim, ndërsa autoritetet lokale kanë vendosur masa emergjente në zonat që ndodhen nën alarmet më të larta meteorologjike.

Zyrtarët e shëndetësisë u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve të pinë mjaftueshëm ujë, të shmangin aktivitetet e rënda fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të qëndrojnë në hije sa herë që është e mundur. Autoritetet kanë raportuar gjithashtu dhjetëra raste vdekjesh ditët e fundit, ndërsa njerëzit përpiqen të freskohen në lumenj, liqene dhe zona bregdetare.

Meteorologët thonë se kjo valë e të nxehtit është jashtëzakonisht intensive për këtë periudhë të verës dhe pasqyron një prirje më të gjerë të rritjes së temperaturave në Evropë, e cila po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër.

Ekspertët paralajmërojnë se periudhat e gjata të temperaturave ekstreme kur temperaturat mbeten mbi 20°C edhe gjatë natës, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe paraqesin rreziqe në rritje për shëndetin publik.

Parashikuesit e motit presin që temperaturat e larta të vazhdojnë në pjesën më të madhe të Francës gjatë fundjavës, duke bërë të mundshme ndërprerje të tjera në atraksionet kryesore turistike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume