Disa funksionarë janë në ankth nga rikonstruimi i qeverisë. Ky shqetësim tashmë ka zbritur edhe më poshtë, te ata që mbrojnë me zell një pushtet të cilin pa interes personal nuk do ta mbronin kurrë.
Protestat e nesërme në Tetovë janë lindja e një brezi të ri “flamingosh”. Jo më në brigjet e liqenit, por në zemër të një qyteti shqiptar që prej vitesh po përjeton nënshtrim, heshtje dhe fshirje graduale të identitetit të tij.

Pse duhet të na vijë keq nëse disa profiteerë politikë humbin “bukën e gojës”? Pse duhet të shqetësohemi për ata që zhurmojnë për pushtetin vetëm sepse prej tij ushqehen politikisht e materialisht? Për vite me radhë kanë kërkuar që ne të heshtim, të pranojmë dhe të durojmë.
Nesër, me fillimin e protestës, shumë prej atyre që sot ndihen të sigurt në kolltukët e pushtetit do të kuptojnë se sa keq ndihemi ne që nuk jemi pjesë e privilegjeve të tyre. Do të kuptojnë se dinjiteti nuk blihet me poste dhe se identiteti nuk negociohet për interesa ditore.

Nuk pi më ujë justifikimi se çfarë bëri ose nuk bëri BDI-ja. Ajo shkoi në opozitë me mëkatet e veta. Sot përgjegjësinë e kanë ata që qeverisin dhe që premtuan ndryshim. Fatkeqësisht, për shumë qytetarë shqiptarë, gjendja jo vetëm që nuk është përmirësuar, por në shumë raste është bërë edhe më e rëndë.

Prandaj, nesër nuk protestohet për parti. Protestohet kundër nënçmimit kolektiv. Protestohet kundër heshtjes. Protestohet për të drejtën për të mos u ndjerë i huaj në qytetin dhe vendin tënd.

Mjaft duruam. Mjaft heshtëm. Ka ardhur koha të dëgjohet zëri i qytetarëve.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume