Më 23 qershor 2016, Britania e Madhe mori një nga vendimet më të rëndësishme politike të historisë së saj moderne.

Pas një fushate të ashpër dhe thellësisht përçarëse, mbi 33 milionë britanikë iu drejtuan kutive të votimit për t’iu përgjigjur një pyetjeje të vetme:

A duhet Mbretëria e Bashkuar të mbetet pjesë e Bashkimit Europian apo të largohet prej tij?

Rezultati ishte i ngushtë, por vendimtar. Me 52% të votave, shumica zgjodhi largimin nga Bashkimi Europian, duke i dhënë fund një anëtarësimi që kishte nisur në vitin 1973.

Referendumi jo vetëm ndryshoi marrëdhënien e Britanisë me Europën, por hapi një kapitull të ri politik, ekonomik dhe diplomatik, pasojat e të cilit vazhdojnë të ndihen edhe sot, një dekadë më vonë.

Pamjet e asaj dite tregojnë qytetarët që hedhin votën në kuti, ndërsa në qendrat e votimit paraqiten edhe protagonistët kryesorë të fushatës: kryeministri i atëhershëm David Cameron, i cili kishte bërë fushatë për qëndrimin në Bashkimin Evropian; Boris Johnson, figura më e njohur e kampit “Leave”, si dhe Nigel Farage, një nga politikanët që për vite me radhë kishte kërkuar largimin e Britanisë nga BE-ja.

Vetëm pak orë pasi rezultatet u bënë publike, tregjet financiare reaguan me luhatje të forta, paundi britanik pësoi rënien më të madhe në dekada, ndërsa kryeministri David Cameron njoftoi dorëheqjen, duke pranuar se nuk mund të ishte ai personi që do ta drejtonte vendin në procesin kompleks të largimit nga Bashkimi Europian.

“Do të bëj gjithçka që mundem si kryeministër për të stabilizuar vendin në javët dhe muajt që vijnë, por nuk besoj se është e drejtë që unë të jem kapiteni që do ta drejtojë Britaninë drejt destinacionit të saj të ardhshëm.”

Dorëheqja e Cameron ishte vetëm fillimi i një periudhe të gjatë trazirash politike. Negociatat me Brukselin zgjatën me vite, parlamenti britanik u përfshi në përplasje të vazhdueshme dhe vendi kaloi një nga periudhat më të paqëndrueshme politike që prej Luftës së Dytë Botërore.

Në 10 vitet pas referendumit, Britania ndërroi 5 kryeministra.

Theresa May dështoi të siguronte miratimin e marrëveshjes së Brexit. Boris Johnson arriti ta finalizonte daljen zyrtare të vendit nga Bashkimi Evropian në janar të vitit 2020. Më pas pasuan Liz Truss, mandati rekord i shkurtër i së cilës u mbyll pas krizës financiare të shkaktuar nga politikat e saj ekonomike, dhe Rishi Sunak.

Në vitin 2024, Partia Laburiste riktheu pushtetin pas 14 vitesh opozitë, me Keir Starmer si kryeministër.

Por çfarë ka fituar dhe çfarë ka humbur Britania pas një dekade?

Sipas profesorit të Ekonomisë dhe Politikave Publike në King’s College London, Jonathan Portes, bilanci ekonomik është negativ. Ai thotë se pothuajse të gjitha parashikimet kryesore të ekonomistëve janë konfirmuar.

“Brexit ka pasur pikërisht ndikimin që ekonomistët kishin parashikuar. Ekonomia britanike është më e dobët dhe më e vogël sesa do të kishte qenë në mungesë të Brexit. Debati vazhdon për madhësinë e saktë të këtij dëmi, por bëhet fjalë për disa për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Me pak fjalë, Britania është sot disa për qind më e varfër sesa do të ishte po të kishte mbetur pjesë e Bashkimit Evropian.”

Edhe institucionet ekonomike britanike mbërrijnë në përfundime të ngjashme. Zyra për Përgjegjësinë Buxhetore vlerëson se ekonomia britanike do të jetë rreth 4% më e vogël në afatgjatë si pasojë e Brexit.

Ndërkohë, studime akademike ndërkombëtare argumentojnë se humbja mund të jetë edhe më e madhe, ndërsa investimet private kanë rënë ndjeshëm krahasuar me skenarin në të cilin Britania do të kishte mbetur pjesë e tregut të përbashkët evropian.

Megjithatë, Portes nënvizon se gjatë këtyre viteve edhe ekonomitë e tjera evropiane janë goditur nga pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë. Sipas tij, këto zhvillime nuk duhet të ngatërrohen me efektet specifike të Brexit.

Një tjetër premtim qendror i fushatës për largimin nga Bashkimi Europian ishte kontrolli i emigracionit. Mbështetësit e Brexit argumentonin se dalja nga BE-ja do t’i jepte fund lëvizjes së lirë dhe do të ulte ndjeshëm numrin e emigrantëve.

Lëvizja e lirë përfundoi, por realiteti rezultoi krejt ndryshe.

Britania u përball me mungesë të madhe të fuqisë punëtore në sektorë si shëndetësia, bujqësia, transporti dhe shërbimet. Pas pandemisë dhe nisjes së luftës në Ukrainë, qeveritë britanike u detyruan të hapnin programe të reja vizash për punëtorët e huaj.

Si rezultat, emigracioni arriti nivele rekord.

“Morëm kontrollin mbi politikën e emigracionit dhe i dhamë fund lëvizjes së lirë. Por për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, pandemisë dhe luftës në Ukrainë, emigracioni u rrit më shumë se para Brexit. Kjo e zbuti goditjen ekonomike, por nuk ishte ajo që shumë votues prisnin.”

Brexit ndryshoi edhe hartën politike britanike.

Partia Konservatore, e cila dominoi politikën për më shumë se një dekadë, u përball me përçarje të brendshme, ndryshim lidershipi dhe humbje të besimit publik.

Në të njëjtën kohë, Nigel Farage, njeriu që për vite me radhë kërkoi largimin nga Bashkimi Evropian, u rikthye fuqishëm në skenën politike me partinë Reform UK.

“Nigel Farage ka shmangur përgjegjësinë për dështimet e perceptuara të Brexit, sepse nuk ka qenë në qeveri. Konservatorët kanë marrë barrën kryesore të kritikave dhe kjo i ka krijuar Farage hapësirë të madhe politike.”

Më 31 janar 2020, Britania u largua zyrtarisht nga Bashkimi Evropian. Në sheshin përballë Parlamentit mijëra mbështetës festuan momentin historik me flamuj britanikë, muzikë dhe numërim mbrapsht deri në orën e daljes zyrtare.

Për mbështetësit e Brexit, ai ishte rikthimi i sovranitetit kombëtar.

“Guxoni të ëndërroni. Agimi i një Mbretërie të Bashkuar të pavarur sapo ka nisur.”

Dhjetë vjet më vonë, perceptimi i publikut ka ndryshuar ndjeshëm. Sondazhe të shumta tregojnë se një pjesë e madhe e britanikëve, përfshirë edhe shumë prej atyre që votuan për largimin, besojnë se Brexit nuk ka sjellë përfitimet ekonomike të premtuara.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ekziston një shumicë politike për rikthimin në Bashkimin Evropian.

Qeveria laburiste e Keir Starmer ka zgjedhur një qasje më pragmatike. Londra ka rifilluar bashkëpunimin me Brukselin në fusha si tregtia, mbrojtja, siguria dhe politika e jashtme, por pa diskutuar rikthimin në BE.

“Ekziston një konsensus gjithnjë e më i madh se Brexit nuk ka funksionuar siç ishte premtuar. Por nuk ka ende një vizion të përbashkët se si duhet të ndërtohet marrëdhënia e ardhshme me Bashkimin Evropian. Për momentin, një rikthim më i afërt duket politikisht i vështirë.”

Sipas Jonathan Portes, humbës nuk është vetëm Britania.

Edhe Bashkimi Europian ka humbur një nga ekonomitë dhe fuqitë e tij më të mëdha, në një kohë kur kontinenti përballet me luftën në Ukrainë, tensionet globale, konkurrencën me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, si edhe sfida të reja për sigurinë evropiane.

10 vjet pas referendumit që ndryshoi historinë politike të Mbretërisë së Bashkuar, pyetjet mbeten të njëjta: A e bëri Brexit Britaninë më të fortë?

Përgjigjet vazhdojnë të ndajnë shoqërinë britanike. Por vendimi i 23 qershorit 2016 vazhdon të ndikojë politikën, ekonominë dhe marrëdhëniet e Britanisë me Evropën, edhe një dekadë më vonë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume