Në epokën e satelitëve dhe teknologjisë moderne, është bërë pothuajse e pamundur të imagjinohen histori si ato të Luftës së Ftohtë, ku anije të mëdha “zhdukeshin” pa gjurmë.
Sot, çdo lëvizje në det monitorohet me satelitë, radarë dhe kompani private inteligjence. Megjithatë, një lëvizje e dy anijeve të mëdha ruse ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për dy nga superjahtet që shihen nga shërbimet perëndimore si të lidhura me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas hetimeve të autoriteteve amerikane dhe britanike, disa nga këto jahte janë të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me të, përmes rrjeteve të personave të afërt dhe janë vendosur nën sanksione.
Njëri prej tyre, “Scheherazade”, është sekuestruar më parë në Itali.
Së fundmi, jahti “Graceful” është rikthyer në lëvizje pas një kohe të gjatë pa aktivitet të dukshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ai është shoqëruar nga dy anije të marinës ruse dhe është gjurmuar duke lundruar mes Danimarkës dhe Norvegjisë, me destinacion të dyshuar Stambollin. Më pas pritet të kalojë drejt Mesdheut, pranë brigjeve të Italisë.
Sipas të dhënave të ndjekjes detare, lëvizja e tij është monitoruar nga afër nga vende të NATO-s, përfshirë Danimarkën dhe Gjermaninë, por pa ndërhyrje direkte.
Jahti është ndërtuar në vitin 2014 dhe është përdorur në disa raste nga Putin në të kaluarën.
Një tjetër jaht i lidhur me rrethin e tij të ngushtë, “Victoria”, i përdorur shpesh nga Alina Kabaeva, është larguar gjithashtu nga Rusia dhe është parë duke lëvizur drejt Turqisë, duke ndaluar në zonën e Stambollit dhe më pas në Bodrum.
Këto lëvizje janë interpretuar nga disa analistë si mesazhe të qëllimshme politike dhe si pjesë e një komunikimi të heshtur mes Rusisë dhe vendeve perëndimore, në një kohë tensionesh të larta për shkak të luftës në Ukrainë. Megjithatë, nuk ka prova zyrtare që tregojnë për ndonjë qëllim të drejtpërdrejtë ushtarak në këto udhëtime.
Në të njëjtën kohë, jahtet mbeten nën vëzhgim të vazhdueshëm nga shërbimet perëndimore, të cilat po ndjekin nga afër çdo lëvizje të tyre në det.