Bashkim Aliu: Përgjigje ndaj interpelancës në kantonin e St.Gallenit në lidhje me projektin e xhamisë
Bashkim Aliu
Publikimi i lajmit nga mediumet zvicerane për interpelancën e deputetëve të partisë së djathtë SVP (Partia Popullore Zvicerane) për projektin e Qendrës Islame Shqiptare “El Hidaje” në St.Gallen mori dhenë në shumë portale dhe mediume në gjuhën shqipe duke u shoqëruar me komente ksenofobe, raciste, islamofobe e bile edhe të pa logjikshme në lidhje me lajmin në fjalë. Shumë portale në gjuhën shqipe u treguan jashtëzakonisht të shpejta. Tituj të mëdhenj, interpretime të njëanshme dhe, në disa raste, edhe ngatërrim i qëllimshëm ose nga pakujdesia i rastit të St.Gallenit me një çështje tjetër në kantonin e Schwyz-it. Rezultati ishte konfuzioni dhe krijimi i një perceptimi negativ te lexuesit.
Mënyra se si u publikua lajmi në mediume dhe portale në gjuhën shqipe, gjegjësisht jo i saktë, i pa qartë, i ngatërruar me rastin e një qendre tjetër islame të shqiptarëve në kantonin e Schwyz-it, i shtrembëruar nga versioni origjinal, i kontekstualizuar gabimisht dhe i fryrë tej mase, tregon për prapavijat e shumë portaleve dhe mediumeve karshi lajmeve që kanë të bëjnë me institucionet islame, pa çka nëse shkelin edhe mbi profesionalizmin dhe kodin etik të gazetarisë. Tani, pas përgjigjes zyrtare të Qeverisë së Kantonit të St.Gallenit, mbetet për t’u parë nëse mediumet dhe portalet në fjalë do ta shfaqin të njejtin interes edhe për përgjigjen zyrtare që qeveria kantonale e St.Gallenit e ka dhënë ndaj interpelancës së ngritur nga deputetët e SVP-së lidhur me projektin e Qendrës Islame Shqiptare “El Hidaje”.
Në fakt, kjo është procedurë krejtësisht normale në një shtet ku institucionet funksionojnë mbi bazën e ligjit, transparencës dhe llogaridhënies. Deputetët kanë të drejtë të parashtrojnë pyetje, ndërsa qeveria ka detyrim të përgjigjet. Por ka disa pyetje që mbeten të hapura: a do të tregojnë portalet dhe mediat në gjuhën shqipe të njëjtin entuziazëm për publikimin e përgjigjeve të qeverisë kantonale të St.Gallenit, siç treguan kur publikuan interpelancën e SVP-së? A do t’u tregojnë lexuesve se çfarë kanë konstatuar institucionet? Apo ky lajm nuk u shërben më interesave të tyre editoriale?
Kur u bë publike interpelanca, shumë portale në gjuhën shqipe e trajtuan atë si lajm të bujshëm. Disa prej tyre madje e përzien rastin e St.Gallenit me një çështje krejt tjetër në kantonin e Schwyz-it, duke krijuar konfuzion te lexuesit dhe duke lënë përshtypjen se bëhej fjalë për të njëjtin proces. Në vend të një raportimi të kujdesshëm dhe të balancuar, u preferua sensacionalizmi.
Tani që ekziston edhe përgjigjja zyrtare e qeverisë kantonale, është momenti për të parë nëse këto media do të respektojnë të njëjtat standarde profesionale. Sepse gazetaria nuk përfundon me publikimin e akuzave apo dyshimeve. Përgjegjësia mediatike kërkon që publiku të informohet edhe për përgjigjet institucionale, sqarimet dhe faktet zyrtare.
Nëse interpelanca u konsiderua lajm me interes publik, atëherë edhe përgjigjja e qeverisë është po aq e rëndësishme. Përndryshe krijohet përshtypja se nuk synohet informimi i qytetarëve, por ushqimi i një narrative të caktuar dhe pritja e momentit për t’iu vërsulur një komuniteti të caktuar.
Profesionalizmi i një mediumi matet pikërisht në këto raste. Nuk mjafton të publikosh vetëm atë që ngjall polemikë apo klikime. Gazetaria profesionale kërkon ekuilibër: të raportohen edhe pyetjet, edhe përgjigjet; edhe pretendimet, edhe faktet.
Gazetaria nuk është zgjedhje selektive e fakteve. Nuk mund të jesh i zellshëm vetëm kur lajmi krijon polemikë dhe të bëhesh i padukshëm kur dalin sqarimet zyrtare. Nëse publikon vetëm akuzën dhe fsheh përgjigjen, nuk po informon. Po orienton opinionin.
Ky është dallimi mes gazetarisë dhe propagandës. Gazetaria ua paraqet qytetarëve të gjitha anët e një çështjeje, që ata të krijojnë vetë gjykimin e tyre. Propaganda zgjedh vetëm ato pjesë që i shërbejnë një narrative të paracaktuar.
Prandaj mbetet për t’u parë nëse portalet në gjuhën shqipe do të zgjedhin ta informojnë publikun në mënyrë të plotë, apo do të vazhdojnë të heshtin për një zhvillim që nuk përputhet me narrativën që promovuan kur publikuan interpelancën e SVP-së? Do ta zgjedhin korrektësinë apo sensacionin, klikimet apo përgjegjësinë, titujt alarmues apo të vërtetën?
Në fund, pyetja nuk është nëse Qeveria e St.Gallenit iu përgjigj interpelancës. Ajo e bëri detyrën e saj. Pyetja është nëse mediat në gjuhën shqipe do ta bëjnë të tyren. Sepse profesionalizmi i një mediumi nuk matet nga sa shpejt e publikon një lajm, por nga gatishmëria për ta ndjekur atë deri në fund, edhe kur përfundimi nuk prodhon aq shumë klikime sa titulli i parë. Mbase, si duket, heshtja e tyre flet më së shumti.