Hisen Xhemaili ka reaguar pas pretendimeve për kërcënime ndaj gazetarit Rami Mislimi, duke dënuar ashpër çdo formë presioni dhe veçanërisht përfshirjen e një fëmije të mitur në këtë rast.

Në reagimin e tij publik, Xhemaili thekson se përdorimi i pushtetit si mjet kërcënimi është shenjë dobësie dhe jo force.

“Të kërcënosh duke u thirrur në emër të pushtetit është vetia e të dobëtit”, ka shkruar ai.

Sipas Xhemailit, ngjarja ku pretendohet se është përmendur një fëmijë vetëm dyvjeçar përbën një akt të papranueshëm dhe duhet të dënohet nga shoqëria dhe institucionet.

“Ngjarja e sotme, ku u kërcënua një fëmijë engjëll vetëm dy vjeç, tregon ligësinë ekstreme njerëzore. Ky akt makabër duhet dënuar me çdo kusht!”, është shprehur Xhemaili.

Reagimi i tij vjen pas një serie reagimesh publike nga figura politike, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë dënuar pretendimet për kërcënime ndaj gazetarit Rami Mislimi dhe familjes së tij.