Gazetari Mefail Memishi ka reaguar lidhur me raportimet për kërcënime ndaj gazetarit Rami Mislimi, duke theksuar se çdo mospajtim me punën e mediave duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe jo përmes presionit apo kërcënimeve.

Në reagimin e tij publik, Memishi nënvizon se në rastet kur mediat apo gazetarët kritikohen për mënyrën e raportimit, ekzistojnë institucione dhe mekanizma përkatës që trajtojnë çështjet etike dhe profesionale.

“Nëse mediat dhe gazetarët ndajnë mendim ndryshe nga ai i politikanëve, apo punojnë në mënyrë jo adekuate ose joetike, ose edhe në kundërshtim me kodeksin e gazetarisë, atëherë janë institucionet përkatëse që merren me ta, si SHGM, Sindikata e Pavarur e gazetarëve, Këshilli i Etikës, por edhe institucionet shtetërore”, ka shkruar Memishi.

Ai ka theksuar se kërcënimet me jetë ndaj gazetarëve janë të papranueshme, veçanërisht kur në to përfshihen edhe familjarët.

“Kërcënimet me jetë ndaj gazetarëve (Rami Mislimit), sidomos kur përfshihet familja, janë tërësisht të palejueshme!”, ka theksuar gazetari Memishi.

Reagimi i tij vjen pas një serie reagimesh publike lidhur me rastin e gazetarit Rami Mislimi, ku është kërkuar mbrojtja e lirisë së medias dhe trajtimi institucional i çdo kërcënimi ndaj gazetarëve.