Rami Qerimi ka reaguar pas raportimeve për kërcënimet ndaj gazetarit Rami Mislimi, duke theksuar se liria e medias është një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike dhe se asnjë gazetar nuk duhet të përballet me presione apo frikësime për shkak të profesionit të tij raporton Tetovasot.

Në reagimin e tij, Qerimi shpreh mbështetje për gazetarin Mislimi, duke theksuar se mbrojtja e gazetarëve është në interes të gjithë qytetarëve.

“Gazetaria e lirë është një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike. Pavarësisht nëse pajtohemi apo jo me qëndrimet e një gazetari, askush nuk duhet të jetë objekt i presioneve, kërcënimeve apo linçimit për shkak të punës së tij”, shkruan Qerimi.

Ai shton se Rami Mislimi meriton ta ushtrojë profesionin e tij i lirë, pa frikë dhe pa pengesa, duke nënvizuar se mbrojtja e gazetarëve është mbrojtje e së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Qerimi dënon gjithashtu gjuhën fyese dhe degradimin e debatit publik, veçanërisht përfshirjen e një fëmije në sulme politike apo personale.

“Përfshirja e një fëmije dyvjeçar në sulme politike apo personale është një akt që meriton dënim të ashpër moral dhe publik. Një sjellje e tillë nuk tregon forcë argumenti, por mungesë të thellë përgjegjësie, etike dhe njerëzie”, thekson ai.

Reagimi i Qerimit i bashkohet një sërë reagimesh publike që kanë dënuar kërcënimet ndaj gazetarit Rami Mislimi dhe kanë kërkuar mbrojtjen e lirisë së medias dhe veprim të institucioneve. Tetovasot

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume