Mimoza Musa e fitoi mandatin e deputetes me votat, besimin dhe mbështetjen organizative të strukturave të Aleancës për Shqiptarët.

Kur vendosi ta braktisë Aleancën dhe të mbetet pjesë e VLEN-it, u arsyetua se dëshironte ta vazhdonte betejën kundër nepotizmit, krimit dhe korrupsionit.

Sot po e shohim se si e zhvillon këtë “betejë”.

Babai i saj, tanimë pensionist, është emëruar anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës Zhvillimore, një institucion shtetëror që duhet të menaxhohet mbi bazën e meritës, profesionalizmit dhe përgjegjësisë publike.

Në publik flasin për meritokraci, ndërsa në pushtet sistemojnë familjarët.

Nëpër studio televizive luftojnë nepotizmin, ndërsa në institucionet shtetërore emërojnë baballarët e tyre.

Kjo nuk është luftë kundër nepotizmit. Ky është nepotizëm i pastër, i mbështjellë me fjalime për moral dhe ndryshim.

Mimoza Musa duhet të tregojë se kush e propozoi babain e saj, mbi çfarë kriteresh është bërë emërimi dhe si ndodhi që, mes mijëra ekonomistëve dhe profesionistëve të rinj, zgjedhja ra pikërisht mbi familjarin e një nënkryetareje të VLEN-it.

Ndërsa të rinjtë presin një mundësi ose largohen nga vendi, VLEN-i kujdeset që familjarëve të funksionarëve të mos u mungojë asnjë pozitë.

Mandati i fituar nga Aleanca u përdor për të mbetur në pushtet. Pushteti tani po përdoret për të rehatuar familjen.

Ja sa vlejnë premtimet e VLEN-it kundër nepotizmit.