Shkup, 21 korrik – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar Këshillin Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut (RTVM) për heshtje lidhur me emërimin, që e cilëson të paligjshëm, të zëvendësdrejtorit të institucionit, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të hetuar rastin. Në një reagim publik, BDI thekson se kanë kaluar shtatë ditë nga emërimi i zëvendësdrejtorit dhe se, sipas partisë, Këshilli Programor vazhdon të mos japë asnjë sqarim për vendimin.

“Kanë kaluar shtatë ditë nga emërimi i paligjshëm i zëvendësdrejtorit të Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut dhe, për shtatë ditë me radhë, vazhdon heshtja e Këshillit Programor të RTVM-së. Asnjë sqarim. Asnjë përgjigje. Asnjë përpjekje për të arsyetuar një vendim që është në kundërshtim me ligjin dhe me standardet elementare të administrimit të një institucioni publik”, thuhet në reagim.

BDI pretendon se personi i emëruar nuk i plotëson kushtet ligjore për ushtrimin e funksionit, duke theksuar se përvoja e punës që i është njohur është krijuar para përfundimit të studimeve universitare.

“Personi i emëruar nuk i plotëson kushtet ligjore për ushtrimin e funksionit. Përvoja e punës që i është llogaritur është krijuar para përfundimit të arsimit universitar, ndërsa dokumentacioni publik tregon se provimin e fundit e ka dhënë në vitin 2024. Për më tepër, edhe rezultatet akademike të tij nuk përmbushin standardet që priten për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm mediatik në vend. Megjithatë, Këshilli Programor vendosi të shpërfillë ligjet dhe të imponojë një emërim të paligjshëm”, thekson BDI.

Përveç çështjes së ligjshmërisë së emërimit, partia opozitare ngre shqetësime edhe për përfaqësimin etnik në strukturat drejtuese të servisit publik. Sipas BDI-së, për herë të parë që nga viti 2007, Radio Televizioni i Maqedonisë së Veriut nuk ka asnjë drejtor shqiptar.

“Po aq shqetësuese është edhe heshtja për përjashtimin e shqiptarëve nga strukturat drejtuese të RTVM-së. Për herë të parë që nga viti 2007, Radio Televizioni i Maqedonisë së Veriut nuk ka asnjë drejtor shqiptar”, thuhet në reagim.

BDI rikujton se, krahas drejtorit të përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorit, RTVM ka edhe drejtorin e Televizionit dhe drejtorin e Radios, ndërsa për gati dy dekada njëra nga këto pozita, sipas partisë, ka qenë e rezervuar për kuadro shqiptare, në funksion të balancës etnike dhe karakterit shumëetnik të institucionit.

“Për gati dy dekada, njëra nga këto pozita ka qenë e përfaqësuar nga kuadro shqiptarë, si pjesë e balancës etnike në vendimmarrje dhe karakterit shumëetnik të institucionit. Sot, të dy këto pozita drejtuese mbahen nga kuadro maqedonas”, thekson BDI.

Partia shton se mungesa e përfaqësimit shqiptar shtrihet edhe në kabinetin e drejtorit të përgjithshëm. “Shqiptarët mungojnë edhe në kabinetin e drejtorit, ku në katër pozitat e këshilltarëve nuk është emëruar asnjë përfaqësues shqiptar”, thuhet në deklaratë.

BDI vlerëson se zhvillimet në RTVM nuk përbëjnë më një rast të izoluar, por një model të përjashtimit sistematik dhe të kapjes politike të servisit publik. “Ky nuk është më një rast i izoluar. Ky është një model i qartë i përjashtimit sistematik dhe i kapjes politike të servisit publik”, thuhet në reagim. Në këtë kontekst, partia u bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të reagojnë.

“I bëjmë thirrje Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë të reagojë dhe të mbrojë profesionalizmin, integritetin institucional dhe pavarësinë e servisit publik. I bëjmë thirrje Zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup të monitorojë këtë rast, pasi kapja politike e medias publike dhe emërimet në kundërshtim me ligjin janë në kundërshtim me standardet evropiane për sundimin e ligjit, pavarësinë institucionale dhe lirinë e medias”, deklaron BDI. Po ashtu, partia kërkon që Prokuroria Publike të verifikojë ligjshmërinë e emërimit dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë në proces. “I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të hapë procedurë për të verifikuar ligjshmërinë e këtij emërimi dhe përgjegjësinë e të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në vendimmarrje”, thuhet në reagim.

Një apel i veçantë i drejtohet edhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. “Po ashtu, i bëjmë thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që të hetojë nëse në këtë proces janë shkelur dispozitat ligjore, janë tejkaluar kompetencat apo është favorizuar një kandidat që nuk i plotësonte kushtet ligjore”, thekson BDI. Në fund, partia vlerëson se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se servisi publik nuk duhet të shndërrohet në instrument të pushtetit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume