Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me Arabinë Saudite, e cila do t’i mundësojë këtij vendi të zhvillojë një program civil bërthamor, ku do të marrin pjesë edhe kompani amerikane. Teksti i marrëveshjes nuk u bë publik, mirëpo mediat amerikane raportuan se ai do t’i lejojë Arabisë Saudite të pasurojë uranium në të ardhmen.
Ekspertët shprehen se kjo krijon një rrezik për përhapjen e ardhshme të armëve bërthamore (proliferim) në një rajon tashmë të paqëndrueshëm.
Departamenti i Energjisë i SHBA-së deklaroi se përveç marrëveshjes së bashkëpunimit, është nënshkruar edhe një „marrëveshje dypalëshe për masa mbrojtëse“. Kjo është hera e parë që SHBA-ja ndihmon një vend tjetër të pasurojë uranium në territorin e vet.
„Këto dy marrëveshje vendosin bazën ligjore për një partneritet dekadash me vlerë prej shumë miliarda dollarësh, i cili avancon disa synime prioritare ekonomike dhe strategjike, përfshirë edhe mospërhapjen e armëve bërthamore“, thuhet në deklaratë.
Njoftimi vjen mes shkallëzimit të luftës në Iran, të cilën SHBA-ja e nisi në shkurt për ta parandaluar atë nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Marrëveshja mund të vlejë miliarda dollarë për SHBA-në, kompanitë e së cilës do të përfshihen në ndërtimin e një impiantit për prodhimin e uraniumit të pasuruar. Ky i fundit mund të përdoret si karburant për centrale elektrike, por gjithashtu edhe për bomba atomike.
Ekspertët bërthamorë dhe ish-zyrtarë izraelitë kanë shprehur shqetësimin se në fund, Arabia Saudite mund të zhvillojë armë bërthamore, megjithëse kjo ndoshta do të kërkonte dekada të tëra.