Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj anketës së publikuar nga koalicioni VLEN, duke e akuzuar atë se po përpiqet të krijojë një epërsi të rreme përmes, siç i quan, “anketave të fabrikuara”.

Sipas BDI-së, anketa nuk ofron transparencën e nevojshme, pasi, sipas reagimit, nuk dihet se kush e ka porositur dhe financuar, si është përzgjedhur mostra, kur është zhvilluar terreni dhe cilat kanë qenë pyetjet e plota të anketimit.

Në reagim thuhet gjithashtu se agjencia që ka realizuar anketën nuk ka pasur aktivitet serioz publik në matjen e opinionit gjatë dy viteve të fundit dhe se është riaktivizuar pikërisht në periudhën kur, sipas BDI-së, VLEN-it i nevojiten rezultate për të mbuluar rënien e mbështetjes politike.

BDI përmend edhe emrin e Vesna Kuzmanoviq, duke ngritur dyshime se, sipas saj, nuk bëhet fjalë për një matje të mirëfilltë të opinionit publik, por për një “operacion propagandistik” me qëllim krijimin e një perceptimi të favorshëm për VLEN-in.

Në fund të reagimit, BDI vlerëson se publikimi i anketave nuk mund të ndryshojë vullnetin e qytetarëve, duke e cilësuar materialin e publikuar si “propagandistik” dhe duke akuzuar VLEN-in për, sipas saj, servilizëm në Qeveri, degradim të përfaqësimit shqiptar dhe përpjekje për të fshehur dobësinë politike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume