Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane dhe nënkryetar i Kuvendit, Antonio Miloshoski, sot ka kërkuar mbështetje nga Spanja për tejkalimin e bllokadës në procesin eurointegrues dhe gjetjen e një zgjidhjeje që do të jetë e pranueshme si për Shkupin, ashtu edhe për Sofjen.

Kërkesa është adresuar gjatë takimit me sekretarin shtetëror për Bashkimin Evropian të Spanjës, Fernando Sampedro Marcos.

Sipas shërbimit për media të Kuvendit, Miloshoski ka vlerësuar se ekziston një moment i favorshëm për zgjerimin e Bashkimit Evropian, veçanërisht pas hapjes së kapitujve negociues me Ukrainën dhe Moldavinë.

Ai ka theksuar se nga Spanja, si vend anëtar me ndikim në BE, pritet mbështetje për tejkalimin e kontestit bilateral me Bullgarinë, përmes gjetjes së një zgjidhjeje me përfitime të ndërsjella për të dyja palët.

“Duhet të shfrytëzohet momentumi aktual për përparim në procesin e zgjerimit, paralelisht me Ukrainën dhe Moldavinë, përmes hapjes së proceseve negociuese. Zgjerimi do të jetë një situatë ‘win‑win’ në drejtim të një Evrope të bashkuar,” ka deklaruar Miloshoski.

Nga ana e tij, sekretari shtetëror spanjoll ka përsëritur mbështetjen e Madridit për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në meritë, përmbushjen e kritereve dhe respektimin e vlerave evropiane.

Sipas njoftimit, ndër detyrimet që duhen përmbushur janë edhe ndryshimet kushtetuese. Nuk specifikohet nëse Sampedro Marcos ka mbështetur kërkesën e Miloshoskit për ndërmjetësim në kontestin me Bullgarinë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume