Presidenti amerikan Donald Trump ka kundërshtuar shqetësimet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për shitjen e mundshme të avionëve luftarakë F-35 Turqisë, duke thënë se vendimin për këtë e merr vetëm ai.
Trump tha se askush nuk mund t’i tregojë se kujt duhet t’i shiten armët amerikane, ndërsa e cilësoi Turqinë si një “aleat të madh” të SHBA-së.
“Ai është mik i imi dhe askush nuk më tregon se çfarë duhet t’i shesim atij”, tha Trump, duke iu referuar presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
SHBA-ja aktualisht nuk lejon shitjen e F-35-ve për Turqinë, pasi Ankaraja ka blerë sisteme ruse të mbrojtjes ajrore S-400.
Trump pranoi se Turqia “nuk është një përkrahëse e madhe e Izraelit”, por tha se marrëdhëniet me Ankaranë mbeten të rëndësishme.
Presidenti amerikan pritet të takohet këtë javë me Netanyahun në Uashington. Ai tha se me kryeministrin izraelit janë afër në qëndrimet për Iranin, edhe pse kanë disa dallime.
“Ne kemi një ndryshim të vogël, por jemi shumë afër”, deklaroi Trump.