Beteja e evropianizimit të Shqipërisë nuk fitohet duke folur vetëm me ata që janë prej kohësh kundër sistemit sepse ata janë tashmë të bindur. Sfida e vërtetë është të flasësh me njerëzit që janë pjesë e tij; pra me votuesit, me administratën, me ata që e mbështesin sepse besojnë se janë në kampin fitues

Nga Adri Nurellari

Historia tregon se ndryshimet e mëdha nuk ndodhin kur binden kundërshtarët e pushtetit, por kur mbështetësit e tij kuptojnë se interesi i tyre afatgjatë nuk përputhet më me interesin e elitës që qeveris. Sfida me të cilën përballet Shqipëria sot ka ngjashmëri me atë të vitit 1990. Edhe atëherë ekzistonte një parti-shtet që dukej e pathyeshme e që kontrollonte çdo kapilar. Sot jetojmë në pluralizëm, por gjatë rreth 35 viteve të tij, Partia Socialiste dhe paraardhësja e saj kanë qeverisur Shqipërinë për rreth 28 vjet (1991–1992, 1997–2005 dhe 2013 e në vazhdim). Kur një forcë politike qëndron kaq gjatë në pushtet, sfida nuk është më vetëm rotacioni politik, por ndryshimi i kulturës së pushtetit, vetëdijes kolektive dhe i marrëdhënies së qytetarëve me shtetin. Pikërisht këtë fenomen Milton dhe Rose Friedman e quajtën “tirania e status quo-së” duke argumentuar se sa më gjatë të zgjasë një rend politik apo ekonomik, aq më shumë krijon interesa, privilegje dhe varësi që e bëjnë ndryshimin gjithnjë e më të pamundur. Sipas tyre reformat janë zakonisht më të mundshme në fillim të një cikli qeverisës; me kalimin e kohës, vetë sistemi zhvillon mekanizma që mbrojnë veten nga ndryshimi.

Beteja e evropianizimit të Shqipërisë nuk fitohet duke folur vetëm me ata që janë prej kohësh kundër sistemit sepse ata janë tashmë të bindur. Sfida e vërtetë është të flasësh me njerëzit që janë pjesë e tij; pra me votuesit, me administratën, me ata që e mbështesin sepse besojnë se janë në kampin fitues. Një arsye tjetër pse ndryshimi nuk mund të mbështetet vetëm te kundërshtarët tradicionalë të qeverisë është vetë evolucioni i shoqërisë shqiptare. Në një sistem ku privilegjet ekonomike shpesh varen nga afërsia me pushtetin, një pjesë e madhe e qytetarëve që kanë qenë historikisht të djathtë kanë emigruar, duke përbërë një segment të rëndësishëm të largimit nga vendi. Një pjesë tjetër e atyre që kishin ndikim, aftësi apo ambicie është kooptuar nga pushteti, duke zgjedhur interesin personal mbi bindjet politike. Ky është një nga mekanizmat klasikë të tiranisë së status quo-së. Një sistem që zgjat në kohë nuk mbështetet vetëm te propaganda apo zgjedhjet; ai mbijeton sepse gradualisht thith talentin, blen besnikëri, krijon varësi ekonomike dhe i bën gjithnjë e më shumë qytetarë të ndihen se nuk kanë interes ta ndryshojnë.

Ata që vazhdojnë ta quajnë veten të djathtë janë, në shumë raste, më tepër tifozë besnikë të fanellës së Partisë Demokratike sesa pjesë e një projekti të ri politik. Pas më shumë se tri dekadash investimi emocional, politik e personal, për shumë prej tyre është psikologjikisht e vështirë të pranojnë se modeli ka dështuar ose se nevojitet një qasje e re. Sa më shumë kohë, identitet dhe sakrifica investon një njeri në një zgjedhje, aq më e vështirë bëhet ta rishqyrtojë atë.

Pikërisht për këto arsye, potenciali më i madh për ndryshim nuk ndodhet më te elektorati tradicional opozitar, por tek qytetarët që vazhdojnë të mbështesin pushtetin. Ata janë shumica që mund të vendosë drejtimin e vendit. Dhe mënyra më e mirë për t’i bindur nuk është t’u flasësh për ideologji apo parti, por për jetën e tyre të përditshme, për interesat e familjeve të tyre dhe për pyetjen nëse sistemi aktual u shërben vërtet.

Po, shumë prej tyre mund të kenë një vend pune në administratë ose një pagë publike. Por çfarë vlere ka ajo pagë kur fuqia e saj blerëse zvogëlohet vazhdimisht, ndërsa në majë të piramidës grumbullohen pasuri që një punonjës i zakonshëm nuk mund t’i arrijë kurrë? Mund të kenë një privilegj të vogël sot, por a mjafton ai për të ndërtuar një jetë dinjitoze? A do t’i mbajnë pranë fëmijët e tyre, apo edhe ata do të marrin rrugën e emigrimit, ndërsa vetë do të plaken në vetmi, siç po iu ndodh sot qëindëra-mijëra prindërve shqiptarë?

Mund të jenë pjesë e “kampit fitues”, por në fund jetojnë në të njëjtin shtet si gjithë të tjerët. Udhëtojnë në të njëjtat rrugë të amortizuara me trafik, përballen me të njëjtat përmbytje e mungesë uji të pijshëm, thithin të njëjtin ajër të ndotur, marrin të njëjtin shërbim shëndetësor të degraduar, varen nga i njëjti sistem arsimor në krizë dhe përballen me të njëjtat institucione që, në shumicën e rasteve, nuk funksionojnë siç duhet. Kur shteti dështon, privilegjet mund ta bëjnë jetën disi më të rehatshme, por nuk mund ta zëvendësojnë një shtet që funksionon për të gjithë.

Mbi të gjitha, ata jetojnë me të njëjtën pasiguri juridike. Mund të kenë një pronë, një biznes apo një vend pune që sot duket i sigurt, por pa një shtet të së drejtës askush nuk ka garanci të plotë për pronën, kontratat, investimet apo të ardhmen e tij. Kur ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë, çdo e drejtë rrezikon të shndërrohet në një favor të përkohshëm. Sot mund të jesh i privilegjuar; nesër mund të jesh i panevojshëm. Në një sistem ku pushteti është mbi ligjin, askush nuk është vërtet i mbrojtur, sepse siguria nuk buron nga e drejta, por nga vullneti i atyre që ushtrojnë pushtetin. Dhe kjo nuk është siguri; është varësi. Pikërisht këtu qëndron forca e tiranisë së status quo-së. Ajo nuk i mban njerëzit të lidhur vetëm me privilegje, por edhe me frikën se humbja e sistemit do të thotë humbja e tw vetmes siguri që njohin, paccka se ajo siguri është në të vërtetë vetëm një iluzion i përkohshëm.

Kjo e fundit duhet theksuar shumë herë. Në një shtet ku e ardhmja jote varet më shumë nga favori i udhëheqësit sesa nga mbrojtja e ligjit, askush nuk është vërtet i sigurt Privilegjet që gëzon sot mund të zhduken nesër me një ndryshim humori, një konflikt politik apo një ndryshim ekuilibrash. Historia shqiptare e komunizmit e dëshmon qartë këtë mekanizëm. Burgjet politike të Spaçit dhe Burrelit nuk u mbushën vetëm me kundërshtarë të hershëm të regjimit; aty përfunduan edhe njerëz që deri dje kishin qenë pjesë e sistemit, kishin gëzuar besimin e tij ose u përkisnin familjeve e klaneve që më pas ranë në dizfavor të Enverit. Në një sistem ku mbizotëron arbitrariteti, as besnikëria e verbër nuk garanton siguri. Vetëm shteti i së drejtës e garanton atë. Sot askush nuk rrezikon të përfundojë në burgje politike si atëherë, por mësimi mbetet i njëjtë; kur ligji zëvendësohet nga arbitrariteti, askush nuk mund të jetë i sigurt për të ardhmen e vet.

Prandaj edhe ata që sot mendojnë se janë të favorizuar duhet të pyesin veten: a mbështetet siguria ime te ligji, apo vetëm te vullneti i dikujt tjetër? Kjo është arsyeja pse zgjedhja nuk është mes një partie dhe një tjetre. Zgjedhja është mes një sistemi që u ofron disa njerëzve përfitime afatshkurtra, ndërsa u kufizon të ardhmen, dhe një Shqipërie të ndërtuar mbi shtetin e së drejtës, meritën, konkurrencën e ndershme dhe standardet evropiane të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Historia e tranzicionit tregon se shpesh qeveritë nuk bien sepse zemërohen kundërshtarët e tyre por bien kur zhgënjehen mbështetësit e tyre. Rotacioni i parë paqësor dhe demokratik i vitit 1992 nuk ndodhi sepse opozita mobilizoi vetëm mbështetësit e saj. Në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991, Partia e Punës fitoi 56.17% të votave, ndërsa Partia Demokratike 38.71%. Vetëm një vit më vonë, në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Partia Demokratike fitoi rreth 62% të votave, ndërsa Partia Socialiste ra në rreth 25%. Ndryshimin nuk e prodhoi opozita; e prodhuan ish-votuesit e pushtetit, të cilët vendosën se e ardhmja e tyre vlente më shumë se besnikëria ndaj partisë që kishin votuar vetëm një vit më parë. Edhe rotacioni i vitit 2005 ndoqi një logjikë të ngjashme. Partia Demokratike nuk fitoi sepse elektorati i saj u zgjerua në mënyrë spektakolare por sepse 227 mijë vota socialiste braktisën partinë në pushtet dhe shkuan për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Rrjedhimisht, beteja vendimtare nuk zhvillohet për zemrat e atyre që janë prej kohësh kundër qeverisë. Ata janë tashmë të bindur. Sfida është të fitosh besimin e atyre që ende e mbështesin, jo duke i fyer apo duke i trajtuar si kundërshtarë, por duke iu treguar se interesi i tyre, i fëmijëve të tyre dhe i Shqipërisë është më i madh se çdo përfitim i përkohshëm politik. Duke i ndihmuar të kuptojnë se mirëqenia dhe siguria e familjeve të tyre nuk përputhen më me interesin e një elite që lufton vetëm për të zgjatur pushtetin e saj.

Prandaj protestuesit bëjnë një gabim strategjik kur i anatemojnë mbështetësit e qeverisë me etiketime si “patronazhistë”, “sufllaqexhinj” apo “të shitur”. Fyerjet ndaj mbwshtetwsve apo votuesve të pushtetit vetëm sa e forcon tiraninë e status quo-së, sepse i shtyn njerëzit të mbrojnë identitetin e tyre politik në vend që ta rishqyrtojnë atë. Pikërisht ata qytetarë janë njerëzit që duhen bindur, jo larguar. Çdo etiketë, fyerje apo përçmim vetëm sa i shtyn të mbyllen në kampin e tyre dhe e bën më të vështirë që të rishqyrtojnë zgjedhjet e tyre. Nëse synimi është ndryshimi demokratik, atëherë kundërshtari nuk është votuesi i pushtetit, por sistemi që e mban atë të bindur se nuk ka alternativë. Beteja fitohet duke fituar besimin e njerëzve, mendjet dhe zemrat e tyre, jo duke i poshtëruar ata.

Vetëm në këtë mënyrë, shumë njerëz që sot mendojnë se janë në anën fituese mund të zbulojnë se, në të vërtetë, janë ndër humbësit më të mëdhenj të këtij modeli. Një pagë në administratë nuk e zëvendëson një ekonomi që krijon mirëqenie. Një favor politik kalimtar nuk e zëvendëson sigurinë juridike të përhershme. Një vend pune nuk e zëvendëson mungesën e perspektivës për fëmijët. Një privilegj i përkohshëm nuk e zëvendëson të drejtën për të jetuar në një shtet ku ligji vlen njësoj për të gjithë.

Ka një pyetje të thjeshtë që secili duhet t’ia bëjë vetes: A do të dëshiroje që fëmija yt të jetonte në këtë shtet edhe sikur të mos njihte askënd në pushtet? Përgjigjen më të sinqertë nuk e japin fjalët, por veprimet. Mjafton të shohësh se çfarë bëjnë vetë njerëzit më të privilegjuar të sistemit. Shumë prej tyre, pavarësisht pushtetit dhe favoreve që gëzojnë sot, kanë siguruar shtetësi të huaja, kanë investuar kursimet dhe pronat jashtë Shqipërisë, kanë dërguar fëmijët të jetojnë, studiojnë ose punojnë jashtë dhe e kanë ndërtuar planin e tyre afatgjatë larg vendit. Kjo tregon se edhe ata që përfitojnë më shumë nga status quo-ja shpesh nuk i besojnë asaj për të ardhmen e familjeve të tyre. Nëse edhe më të privilegjuarit nuk janë të gatshëm t’ia besojnë të ardhmen këtij sistemi, pse duhet ta bëjnë qytetarët e zakonshëm?

Rrjedhimisht duhet kuptuar se një e ardhme me standarde evropiane nuk është më e mirë vetëm për ata që janë sot në opozitë. Ajo është më e mirë edhe për ata që sot votojnë qeverinë. Është në interes të çdo mësuesi, infermieri, polici, nëpunësi, sipërmarrësi apo pensionisti, pavarësisht se kë ka votuar. Sepse një shtet që funksionon, një drejtësi e pavarur, një administratë profesionale, një ekonomi konkurruese dhe institucione që respektojnë ligjin nuk janë fitore të një partie. Ato janë fitore të çdo qytetari.

Në fund, tirania e status quo-së nuk thyhet me zemërimin e pakicës, por kur shumica kupton se vazhdimësia e sistemit i kushton më shumë sesa ndryshimi. Ajo thyhet kur qytetarët ndalojnë së mbrojturi privilegjet e përkohshme dhe fillojnë të mbrojnë interesin e përhershëm të familjeve dhe të vendit të tyre. Ndryshimi nuk vjen kur njëra palë fiton më shumë tifozë. Ndryshimi vjen kur qytetarët kuptojnë se nuk duhet të zgjedhin mes partive, por mes dy modeleve të shtetit: një shteti ku gjithçka varet nga favori i pushtetit dhe një shteti ku gjithçka mbrohet nga ligji. Ndryshimi arritet duke bindur votuesit e pushtetit se e ardhmja e tyre, e fëmijëve të tyre dhe Shqipërisë vlen më shumë se besnikëria ndaj partisë. Sepse në fund të fundit, nuk ka dy Shqipëri: një për fituesit dhe një për humbësit. Ka vetëm një Shqipëri që të gjithë e quajmë shtëpi. Rrugët, spitalet, shkollat, drejtësia dhe e ardhmja janë të njëjta për të gjithë. I vetmi dallim është se disa e kuptojnë këtë më herët, ndërsa të tjerët vetëm kur privilegji i tyre merr fund. Prandaj, ose ndërtojmë institucione që mbrojnë të gjithë njësoj, ose mbetemi peng të një sistemi ku sot mund të jesh i privilegjuar, ndërsa nesër krejtësisht i pambrojtur. Ose do ta ndërtojmë një shtet demokratik që iu shërben të gjithë qytetarëve, ose do të vazhdojmë të jetojmë në një sistem ku privilegjet janë të përkohshme, ndërsa pasiguria është e përhershme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume