Në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut kanë nisur gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.
Siç raporton KosovaPress, terren janë angazhuar ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa në operacion po marrin pjesë edhe zyrtarë policorë të EULEX-it, të cilët po ofrojnë mbështetje të sigurisë gjatë zhvillimit të ekzaminimeve.
Nën masa të rrepta sigurie, ekipi i antropologëve ka hyrë në lokacionin ku po kryhen gërmimet dhe ekzaminimet forenzike.
Sipas raportimit në vendin e dyshuar janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje. Ekzistojnë dyshime se këto mbetje mund t’u përkasin pjesëtarëve të intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur më 19 prill 1999.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar të hënën dy persona të dyshuar në lidhje me këtë rast.